“Grepi i Artë”, komedia e shkrimtarit të njohur Bashkim Hoxha, me regji të Herion Mustafarajt, vjen të enjten premierë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Me një humor fin, situata komike, ngatërresa por edhe numra muzikorë, trupa e aktorëve, në përbërje të së cilës janë edhe të mirënjohurat Marjana Kondi dhe Natasha Sela, do të sjellë për publikun durrsak një komedi përmes së cilës shënjestrohen fenomene shoqërore të realitetit shqiptar.

Inskenimi i kësaj komedie do të jetë një sfidë ndaj veseve të shoqërisë sonë që hasim rëndom në jeten e përditshme. Tenxhere me para, një vajzë e re që do të bëhet këngëtare dhe ka krijuar lidhje intime me një deputet, personazhe që ndërthuren në rrjetën e komplikuar të “merimangës” Meri por edhe gangsterë që grabisin banka, të gjitha këto do t’i gjeni në komedinë “Grepi i Artë”.

Problematikat dhe personazhet e saj, intepretimi realist i aktorëve, i ndërthurur me grotesken teatrale, do ta bëjnë atë të komunikueshme me publikun, duke sjellë me këtë projekt një komedi popullore, mesazhi i së cilës është:

“Nuk ka rëndësi kush je e nga vjen, në një moment të jetës t’i kërkon dashurinë e një njeriu tjetër ta kesh pranë”.

Komedia “Grepi i Artë” vjen në teatrin “Aleksandër Moisiu” në datat 16-18-19 dhjetor.

M.B.