Nga Bujar QESJA
Vitet kalojnë dhe ndjeshmëria e jonë për kohën e konsumuar, jo vetëm nuk zbehet, por ndriçon më shumë. Kur qarkulloj kjo foto, nuk ia ndava vështrimin. E mora dhe e vendosa aty, ku ruaj traditën dhe historinë e kulturës dhe qytetarisë durrsake. Fort më preku! Fort më pëlqeu! Sa e bukur! Sa sheshpamje i hap kujtimeve tona!
Në vitet 70-të, festivalet teatrore dhe të varjetesë në klasën punëtore të Durrësit, ishin shumë të zhvilluara. Konkurenca mbetej e madhe. Jehona gjithashtu. Tifozëritë sa në njërin apo në tjetrin grup, krijonin sfondin tërheqës të konkurencën, por edhe të zhvillimit.
E kam thënë më se njëherë, përralla nëse mendohet për nostalgjinë e djeshme, por realitetin nuk do ta mohojmë. Është fryma e jonë, është rinia e jonë, janë shokët, shoqet dhe ndërmarjet tona. Aty punohesh, mbaje familjen, por bëheshin edhe shumë veprimtari dhe shoqëria me njëri tjetrin forcohesh më tepër.

Në këtë foto, janë tre njerëz shumë të njohur në Durrës. Secili është në profilin e tij. Janë aty Petrit Myshketa, Ramazan Dollaku dhe Bastri Truma. Përfaqësojnë në vitin 1970, trupën e varjetesë së fabrikës së duhan cigareve “Telat Noga” të Durrësit. Humor, shoqëri, por edhe investim artistësh.
Arti amator ishte shumë i zhvilluar, duke dalë prej tij me dhjetra e dhjetra artistë të njohur. Kështu ka ndodhur me regjisorin Gjergj Vlashi, Ramazan Njalën, Enver Likmetën, Fadil Hasën, Muharrem Hoxhën, Roland Koçan, Spiro Stratin, këngëtarët Qemal Kërtusha, Zija Saraçi, Engjellushe Laze, Petrit Dobjani, Miga Hysi, Jolanda Dhamo e shumë të tjerë.
Kujtoj që grupe të mrekullueshme në teatër kishte Kantjeri Detar, Parku Automobilistik i mallrave, Ndërmarrja e Ndërtimit, Ofiçina mekanike, UMB-ja, në varjete shkëlqenin grupi i ndërrmarrjes së serave, të fabrikës së duhan cigareve, të fabrikës së gomës, të portit detar, të NTI-së, NTU-si,e në ansamble Uzina e Radio Televizorëve (URT), UEM-i etj, NB Sukthi e NB Spitalla. Gjallërimi i jetës kulturore artistike kulmonte.
Të dalim tek fotoja. Petrit Myshketa, nga brezi i vjetër i muzikantëve durrsakë. Pjesë e traditës së famshme të familjes Myshketa, që u rritën me muzikën dhe e bënë atë me shumë art, me shumë profesionizëm. Pjesë e kësaj familje janë edhe Skënderi, Shpëtimi, Refiku, Xhani, e tash së fundi Gëzimi. Petrit Myshketa ka dhënë shumë në artin amator. Fizarmonika e tij nxirrte “zjarr”. Por edhe humori i këtij artisti nuk zbehej.
Grupet artistike të Petrit Myshketës, ishin gjithnjë fituese të çmimeve të para dhe të flamujve të festivaleve të ansambleve. Ansambli artistik i URT-së ishte kthyer si një ansambël kombëtar. Sa ka punuar ky Petrit, e sa është lodhur! Por krijoi emër të mirë dhe durrsakët nuk e heqin nga goja.
Ramazan Dollaku, kitarist i njohur. Babaxhan dhe shumë popullor në Durrës. Bashkshortja e tij Shazije Dollaku, i ka qendisur këngët popullore qytetare, veçanërisht “E vika deti tallaz tallaz”. Çifti Dollaku i kanë dhënë shumë artit të vendlindjes së tyre, duke merituar vlerësimet më të ndjeshme nga bashkqytetarët.
Bastri Truma është shumë i njohur në sportin e notit. Me një trup gjigand, i friksonte rivalët ende pa nisur gara. Është në historinë cilësore të notit durrsak dhe jo vetëm. Ka marrë pjesë edhe në kampionatin ballkanik të notit organizuar në Split të Kroacisë në vitin 1948. I ka dhënë shumë edhe sportit te vaterpolit, ku “Lokomotiva” ishte kampione absolute. Është i njohur gjithashtu edhe për shërbimet ndaj bletëve. Mjalti i Bastri Trumës, ishte si vete shpirti i tij. Me siguri nga veshja, duket se ka luajtur rol në një skeç, ku ironizohej “imperializmi amerikan”.
Foto interesante. Arkiva pasurohet dhe historia gjithashtu. Sa vlejnë kur i bën publike! Nuk është vetëm malli, për këta tre njerz që nuk jetojnë, por kujtohet edhe një kohë, kur traditat në art dhe kulturë ishin mbreslënëse.
Petrit Myshketa, Bastri Truma, Ramazan Dollaku në një pamje të rrallë. Sa vlen!