“Kanë kaluar 30 vite, qëkur e njoha mirë popullin tuaj. Jam i lumtur që rikthehem për të interpretuar para jush”.
Me këto fjalë e nisi maestro Cessare dell’Anna, i grupit italian të jazz-it, Opa Cupa, koncertin në shëtitoren “Taulantia”, mbrëmjen e së dielës.
Artdashësit durrsakë por edhe pushuesit e shumtë që kanë populluar qytetin bregdetar në këto ditë të nxehta, patën mundësi të shijonin live repertorin e grupit italian, që solli në Durrës disa nga interpretimet e tyre më të mira ndër vite.
Koncerti i mbrëmjes së djeshme ishte në vazhdën e aktiviteteve kulturore që u zhvilluan në Durrës dhe Bari për të kujtuar eksodin e rreth 20 mijë shqiptarëve me anijen “Vlora”, gushtin e vitit 1991.
Grupi italian performoi pranë monumentit “Sono persone/Janë njerëz” të përuruar në Durrës më 5 gusht, ndërkohë që simotra e tij në Bari u zbulua më 8 gusht. Dy veprat identike janë punime të artistes italiane Jasmine Pignatelli.
Këto netë të nxehta gushti, shëtitorja “Taulantia” është shndërruar në një skenë të improvizuar për muzikantët dhe instrumentistët shqiptarë dhe të huaj.