Sot është dita e fundit e muajit gusht, por rreth 3500 familje në bashkinë Durrës që përfitojnë bonusin e qirasë ende nuk kanë marrë pagesën e muajve qershor dhe korrik.
Në fillim të këtij muaji, qytetarëve iu kalua në llogaritë bankare vetëm bonusi i muajit maj, ndërkohë që në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të fund korrikut, kryebashkiakja Emiriana Sako pati deklaruar se akti normativ që do të miratonte qeveria do t’i hapte rrugë kalimit të 3 bonuseve njëherësh.
Pavarësisht pritjes një mujore, 3500 familjet përfituese nuk mundën të merrnin paratë për pagesën e shtëpive me qira ku banojnë që pas fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit 2019.
Shumë prej këtyre familjeve ndihen nën presionin e qiradhënësve për pagesën mujore dhe vonesat në kalimin e bonusit e bëjnë situatën edhe më komplekse.
Qytetarët e nisin muajin shtator me 3 këste mangut të bonusit të qirasë, sepse tashmë shtohet edhe muaji gusht, përveç qershorit dhe korrikut.
Shtatorin e këtij viti, ish-zv-kryeministri Arben Ahmetaj e pati deklaruar si afatin final për përfundimin e procesit të rindërtimit.
Por, në bashkinë Durrës, ai është ende shumë larg nga të shpallurit i përfunduar.
Kur edhe 3 muaj na ndajnë nga 3-vjetori i lëkundjes shkatërrimtare sizmike, Durrësi i ka ende të hapura “plagët” e tërmetit.