21 piktorë të vegjël të shkollave publike dhe jo publike të Durrësit janë bërë pjesë e ekspozitës “Verë me penel dhe fantazi”, të hapur paraditen e sotme në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës.
Ata u prezantuan me 39 tablo, pjesa më e madhe e të cilave sillnin në telajo detin, energjinë verore, ngjyrat e bukura të peisazheve në këtë stinë të nxehtë etj.
Për rreth 2 javë, vogëlushët kanë punuar për realizimin e këtyre tablove, duke miksuar në telajo të kaltrën e qiellit dhe të detit, por edhe morinë e ngjyrave të tjera që dominojnë motivet verore.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një javë dhe të gjthë artdashësit durrsakë do të mund ta shohin nga afër, në ambientet e QKF Durrës.
Për të gjithë fëmijët pjesëmarrës në ekspozitë, stafi i Qendrës Kulturore të Fëmijëve shpërndau certifikata mirënjohjeje për impenjimin e treguar prej tyre në këtë ekspozitë kolektive.
M.B.





