“Një urë midis kulturave, një komunitet që rritet së bashku”,- kështu e nis postimin e saj në rrjete sociale kryetarja e komunës Francavilla al Mare në Itali, Luisa Russo, dedikuar hapjes së shkollës, që do të ofrojë kurse të gjuhës shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar që jetojnë e punojnë në vendin fqinjë.
Në fundjavë u konkretizua projekti për hapjen e shkollës së kurseve të gjuhës shqipe, i cili është programi i pestë i tillë në Abruzzo.

Promotore e këtij projekti, që është një shtysë më shumë për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe edhe nga fëmijët shqiptarë që kanë lindur e po rriten në Itali është një durrsake, Suada Karagjozi.
Pas gati 3 dekadash në vendin fqinjë, avokatja Karagjozi iu përkushtua këtij projekti, të cilin e pa të konkretizuar të shtunën, ku përveç autoriteteve lokale kishte dhe shumë familje të komunitetit shqiptar, që jetojnë në këtë zonë.

Flamuri kuq e zi dhe kostumet tona popullore ishin pjesë e pandarë e ceremonisë, që u zhvillua në ambientet, ku do të mbahen kurset e gjuhës shqipe.
Kryetarja e bashkisë Luisa Russo e konsideroi një “një projekt që tregon një histori të gjatë integrimi, rrënjësh të mbrojtura dhe një të ardhmeje të përbashkët”, realizimin e kësaj shkolle.
Sipas saj, komuniteti shqiptar i Francavilla al Mare përbëhet nga qytetarë të integruar në mënyrë të përsosur në strukturën shoqërore italiane, por që mbeten gjithmonë të lidhur fort me identitetin dhe origjinën e tyre.


“Në vitet 1990, mbërritja e kaq shumë qytetarëve shqiptarë shpesh shoqërohej me paragjykime dhe vështirësi. Sot, mund të tregojmë një histori tjetër: një komunitet që ka ndërtuar me sukses një rrugë integrimi autentik, duke u bërë një pjesë e gjallë dhe aktive e qytetit tonë. Dhe ndërsa në shumë pjesë të botës, muret vazhdojnë të ndërtohen, duke nxitur përçarje dhe konflikte, në Francavilla ne zgjedhim t’i shembim ato çdo ditë, duke ndërtuar ura dialogu dhe respekti”,- shkruan Russo në postimin e saj.
Njëkohësisht, ajo nuk nguron të falenderojë të gjithë ata që bënë të mundur konkretizimin e këtij projekti të rëndësishëm.
“Faleminderit Suada Karagjozit, promotore e projektit, Anila Bitrit, Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Itali, Nita Shala, Ambasadores së Republikës së Kosovës në Itali, dhe Silvana Doganit, Drejtoreshës së shkollave shqipe të Abruzzos “Radici e Ali”.
Faleminderit Nicolino Di Quinzio, President i shoqatës kulturore Senso Civico, e cila do të zhvillojë kurset në selinë e saj në Viale Nettuno 107, duke filluar nga 3 tetori.
Sepse rrënjët janë të rëndësishme, por ne rritemi së bashku!”,- e mbyll postimin e saj Russo.





