Nga BUJAR QESJA
Haxhi Boshnjaku, 80 vite jetë në parkun e shpirtit dhe të sportit
Janë pak njerëzit që nuk i përkasin vetëm familjes së tyre, por edhe qytetit ku janë rritur, breznive që kanë formuar dhe kujtimeve që kanë lënë si gjurmë të pashlyeshme në jetën e të tjerëve. Njëri prej tyre është pa dyshim Haxhi Boshnjaku, .ose siç e thërrasin të gjithë në Durrës: “Xhikja”.
Në qytetin që përjeton ngjitje dhe rënie, nisma dhe harresa, ai mbetet si një monument i gjallë i përkushtimit qytetar, sportiv dhe njerëzor. Sot, kur ka hyrë me dinjitet në dekadën e nëntë të jetës, ai nuk është thjesht një 80-vjeçar, që mban në kujtesë të kaluarën e vet, por një kujtesë kolektive për breza të tërë që kanë zbuluar basketbollin dhe rregullin, ritmin, durimin, përmes zërit të butë, por bindës të tij.
Ka njerëz që shndërrohen në ura lidhëse mes brezave, që nuk thonë me fjalë: “Jam këtu për ju”, por e tregojnë çdo ditë me vepra. Në Durrës, qytet me kujtesë të lashtë dhe shpirt të ngrohtë, një emër është ngulitur thellë në ndërgjegjen qytetare si sinonim i përkushtimit, edukimit dhe dashurisë për njeriun: Haxhi Boshnjaku – ose më ngrohtësisht, Xhikja.
Nuk është thjesht ish-trajner basketbolli. Është frymë. Një model. Një qenie që lidhi jetën e tij me parkun, me sallat sportive, me shkollën, me fëmijët dhe me çdo cep të qytetit që kërkonte gjallëri. Prania e tij u kthye në shpresë, në rregull, në lojë, në edukatë. Nuk kërkoi kurrë të jetë në qendër të vëmendjes, por përfundoi aty, sepse qyteti e mbajti në zemër.
I lindur për të mësuar dhe për të dhuruar
Jeta e Xhikes, nuk ka qenë kurrë në kornizën e ngushtë të vetvetes. Është rritur në Shtëpinë e Fëmijës, në një mjedis ku jeta kërkonte më shumë durim, më shumë dritë të brendshme. Aty, në mesin e fëmijëve pa prindër, ai mësoi të bëhej prind për të tjerët. Dhe kur u rrit, zgjodhi të bëhej mësues. Jo thjesht i lëndës së edukimit fizik, por mësues i jetës. Edukimi dhe sporti, do të ndërthureshin në çdo hap të jetës së tij.
Trajner, organizator, edukator, mik, koleg, shok… janë fjalë që e përshkruajnë vetëm pjesërisht. Ajo që nuk thuhet në fjalë, është mënyra se si ai i jepte kuptim çdo dite, çdo stërvitjeje, çdo orari të sakrificës. Parku sportiv “ Nako Spiro”, gumëzhinte jo nga zhurma, por nga energjia që lëshonte prania e tij. E pamundur të mos e ndjeje: ishe në praninë e dikujt që e donte sportin, por mbi të gjitha, e donte njeriun që rritej përmes sportit.
Me Gjon Lulin dhe basketbollin në gen
Ai nuk ishte vetëm. Për shumë vite, ai e ndante stërvitjen dhe pasionin me tjetër figurë të respektuar të sportit durrsak – Gjon Lulin, i cili në moshën 88-vjeçare është ende aktiv në jetën e basketbollit. Me të dy në fushë, duke ndjekur trashëgiminë e Bashkim Tagës dhe Dhimitraq Gogës, basketbolli në Durrës kishte identitet, kish rrënjë, kishte histori.
Kudo ku ndodheshin, fëmijët vraponin jo për të bërë një detyrë, por për të përjetuar një përqafim të madh shpirti. Haxhiu nuk ua impononte basketbollin, ua bënte të dashur, ua afronte si lojë, si ndihmë për trupin, mendjen dhe vetëbesimin. Kjo ishte fuqia e tij: të edukonte pa zhurmë, të udhëhiqte pa urdhër.
Haxhi Boshnjaku u bë mësues edukimi fizik jo për të dhënë nota në ditar, por për të vendosur themelin e shëndetit dhe karakterit tek nxënësit. Ai e dinte se fëmija duhet të rritet i lirë, por i përmbajtur; i fortë në trup, por i ndjeshëm në shpirt. Dhe kjo nuk mësohej nga librat – kjo mësohej nga shembulli i tij i përditshëm.
Në shkolla, ai ishte më shumë se një mësues. Ishte organizatori i garave sportive, udhëheqësi i veprimtarive jashtëshkollore, frymëzuesi i festave të qershorit dhe i aktiviteteve të përvitshme që mobilizonin nxënësit. Ai e dinte se nxënësi nuk formohet vetëm në bankë – formohet në fushë, në aktivitet, në veprim. Dhe për këtë arsye, fëmijët e adhuronin, e ndiqnin, e respektonin.
Ai ishte edhe shok e mik për kolegët. Gjithmonë energjik, gjithmonë plot batutë, gjithmonë i gatshëm për ndihmë. Edhe se në moshën 80-vjeçare, nuk të lodhet duke të dëgjuar, nuk kursehet duke të ndihmuar. E ka në gjak përfshirjen, bashkëpunimin, të qenit mes njerëzve.
Jetë e plotë dhe e shendetshme
Krahas punës së palodhur në sport, ai është edhe një familjar i përkushtuar. Me bashkëshorte po aq të përkushtuar ndaj sportit – Altrime Boshnjakun, volejbolliste dhe trajnere e spikatur, ngriti familje të shëndoshë, ku harmonia dhe ndershmëria janë themel. Me nipa e mbesa, jetojnë mes Italisë dhe Durrësit, duke ruajtur lidhjen me rrënjët dhe shoqërinë e përjetshme.
Kudo që shfaqen, ata rrezatojnë mirësi. Çifti Boshnjaku është i dashur për të gjithë. Në rrugë, në kafe, në tribuna sportive – ata nuk janë thjesht të pranishëm, janë të përfshirë emocionalisht. Të kujtojnë se sa vlerë ka modestia, përkushtimi dhe dashuria pa bujë.
Qytetari model për Durrësin, me Durrësin
Raporti i tij me qytetin është vetë raporti që ka një rrënjë me dheun. Nuk është i shkëputshëm. Nuk jeton për veten, por për të gjithë. Në çdo stinë, në çdo lagje, në çdo ngjarje qytetare, qoftë sportive, edukative apo kulturore, Haxhiu është i pranishëm. I vëmendshëm. I përkushtuar.
Durrsakët e respektojnë, e përshëndesin, e duan. Të ndal në rrugë, të pyet për shëndetin, për fëmijët, për shkollën. Të bën të ndihesh si në shtëpi. Është figurë që bashkon brez pas brezi, pa asnjë ndasi, pa asnjë paragjykim.
Sot, kur është ndarë mes jetës në Itali, aty ku ndodhen fëmijët dhe jetës në Durrës, aty ku është shpirti i tij, nuk ka humbur asnjë gram nga dashuria për qytetin. Shtëpia e tij në Durrës është e hapur, bujare, mikpritëse, vatër e ngrohtësisë që ai e ka kultivuar me bashkëshorten e tij, Altrime Boshnjakun, një tjetër emër i ndritur në sportin e volejbollit durrsak.
Xhikja dhe basketbollistët, rrezet e gjeneratave
Nëse ka kujtim që mbart aromën e pasionit të pastër, është ai i fëmijëve të vegjël që vraponin drejt parkut sportiv sapo dilnin nga shkolla. Dhe aty i priste ai – Xhikja. Me fishkëllimë të butë, top nën sqetull dhe buzëqeshje që e kthente stërvitjen në lojë, në aventurë, në ëndërr.
Nuk ka lagje në Durrës, që të mos ketë nxjerrë të paktën një fëmijë që është rritur sportivisht dhe shpirtërisht nën duart e tij. Ai nuk shihte kush ishte i talentuar dhe kush jo. Për të, të gjithë fëmijët ishin të vlefshëm. Të gjithë kishin nevojë për të. I mësonte të hidhnin topin, por edhe të kuptonin lojën, të respektonin kundërshtarin, të bashkëpunonin, të qëndronin të disiplinuar.
Me dhjetëra, breza kaluan nën kujdesin e tij. Dhe ata sot, të rritur, e kujtojnë si figurën që i mësoi të ngriheshin, jo vetëm të fitonin. Që u dha siguri, jo vetëm teknikë. I bëri të ndiheshin të rëndësishëm, pa pasur nevojë për lavdi.
Me veteranët dhe miqtë, gjithmonë si njëri prej tyre
Në çdo takim me basketbollistë veteranë, me trajnerë të brezit të vjetër, me kolegë që dikur kanë ndarë sallat e edukimit fizik, Xhikja është ai që mbart ende zjarrin e pasionit.Ëështë gjithmonë ai që flet me emocion, që të ngroh me fjalë të buta, që nuk e fsheh mallin për vitet e lavdishme të basketbollit durrsak.
Nuk është pasiv edhe pse koha ka ecur. Është ende aktiv në biseda, në këshilla, në ide. Emocionohet kur sheh një ndeshje të mirë, kur njeh ndonjë nga nxënësit e vjetër që tashmë kanë bërë emër, kur sheh se sporti ecën përpara. Lotët nuk i fsheh. Sepse është i ndjeshëm. Është njerëzor. Është i vërtetë.
Ai nuk ka qenë kurrë vetëm trajner. Ka qenë edukator. Ka qenë mik. Ka qenë një prind simbolik për shumë fëmijë, që nuk gjetën ndoshta dashurinë që meritonin askund tjetër. Dhe këtë e bëri pa bujë, me natyrshmërinë e atyre që nuk e bëjnë për lavdi, por sepse s’munden ndryshe.
Mësues, trajner, mik dhe shok
Profesori i edukimit fizik, siç e quanin dikur, nuk e konceptonte punën si detyrim arsimor. E dinte se një nxënës i aktivizuar në masivitetin sportiv, është një fëmijë i mbrojtur nga rrugët e këqija, një mendje më e kthjellët, një trup më i shëndetshëm. Boshnjaku organizonte garat mes shkollave, aktivizonte të gjithë fëmijët, e kthente sportin në festë, jo në stres.
Kolegët e kanë dashur gjithmonë. Xhikja është ai që nuk ngrinte zërin për të të bindur, por të bindte me shembull. Në mjediset e sportit, në shkolla, në qytet, Haxhi Boshnjaku ka qenë gjithmonë “Xhikja” – mik i të gjithëve dhe i askujt më pak.
80 vjet dhe ende dhe brenda rinisë së moshës
Në përvjetorin e 80-të, nuk bëri zhurmë. Në heshtje, rrethuar nga familja, miqtë dhe kujtimet, u duk sikur bëri një stërvitje të fundit të një cikli, por jo të jetës. Është ende atje: në park, në kujtimet e nxënësve, në frymëzimin e kolegëve, në respektin qytetar.
Dhe këtë 80-vjetor, i gjithë Durrësi, e ka përshëndetur me dashuri. Sepse njerëzit e mirë, nuk kanë nevojë për ceremoni madhështore.
Ata janë vetë ceremonia e jetës së ndershme.
Në parkun që flet me hapa të lehtë,
Një emër jeton si frymë e vërtetë.
Xhikja me zë të butë, por zemër të fortë,
I mësoi fëmijët si të duan sport.
Ai s’pati salltanet, as ndonjë medalje,
Por la në çdo fushë nga një pikë drite.
Tani që i mbushi të tetëdhjetat plot,
Qyteti i thotë: “Faleminderit, Haxhi, për çdo lot e zot!”