Hekurudha Shqiptare ka hapur tenderin me vlerë 1.5 miliardë lekë për realizimin e projektit të linjës hekurudhore që lidh Terminalin e Transportit Publik me Stacionin Qendror të Trenit në Tiranë.

Kontrata përfshin një zgjatim prej 4 km të linjës ekzistuese Durrës–Tiranë dhe synon të integrojë transportin urban me rrjetin hekurudhor kombëtar.

Kompanitë e interesuara do të kenë mundësi deri më 15 qershor për të paraqitur ofertat e tyre, dhe më pas fituesi do të ketë 2 vite në dispozicion për të mbyllur punimet.

Tenderi përfshin edhe ndërtimin e dy ndalesave të ndërmjetme, Tirana 1 dhe Tirana 2, që synojnë maksimizimin e aksesit dhe lidhjes me rrjetet lokale të transportit publik.

Sipas dokumenteve të tenderit, kontrata gjithashtu përfshin rehabilitimin e rrugëve lokale të prekura nga punimet, përfshirë asfaltimin, zgjerimin dhe ndërtimin e trotuareve, si dhe vendosjen e barrierave të sigurisë dhe zgjidhjeve për reduktimin e zhurmës.

Projekti për linjën hekurudhore Tiranë-Durrës dhe zgjatimin në Rinas ka nisur zbatimin nga viti 2021 dhe është ende në proces e sipër pa një datë të saktë të përfundimit të saj. Shpejtësia e lejuar do të jetë 70-100 km/orë dhe trenat do të jenë elektrik.

Sipas të dhënave të Hekurudhës Shqiptare deri më tani janë mbyllur 97% e punimeve, dhe pritet që në fillim të vitit që vjen të përfundojë projekti, por me këtë zgjatim të ri, ende nuk ka një afat se kur do të finalizohet plotësisht linja hekurudhore aq e shumëpritur.