Nga Gëzim Kabashi
Hekurudha Durrës – Tiranë po shkon drejt përfundimit. Bashkë me mjetet dhe makineritë
në linjë, cilat janë kërkesat profesionale për punonjësit hekurudhorë?
Në lidhje me kërkesat profesionale për punonjësit hekurudhorë, aktualisht nuk mund të japim një përgjigje përfundimtare. Kjo, pasi vlerësimi i nevojave profesionale do të bëhet në momentin e përfundimit të punimeve në linjën hekurudhore Durrës–Tiranë dhe degëzimit drejt Aeroportit
Ndërkombëtar të Rinasit.
Pasi të merren mjetet e reja të transportit hekurudhor, punonjësit do të trajnohen nga kompania përkatëse. Kjo kompani do të jetë përgjegjëse si për trajnimin, ashtu edhe për drejtimin fillestar të trenave. Po ashtu, kompania që do të implementojë sinjalistikën e re hekurudhore do të trajnojë inxhinierët e sinjalistikës dhe të telekomunikacionit që do të punojnë në dhomën e kontrollit.
Vlen të theksohet se, me strukturën e re të hekurudhës, do të hartohen edhe manuale të reja për personelin, në përputhje me standardet moderne të funksionimit dhe sigurisë. Cilat janë motivet e shkarkimit të grupit të punonjësve para pak ditësh?
Në kuadër të reformave të ndërmarra për ristrukturimin e sektorit hekurudhor, u vlerësua si e domosdoshme nisja e procedurës së ndërprerjes kolektive të marrëdhënieve të punës për një grup punonjësish të punësuar pranë të gjitha Njësive të Biznesit dhe Shërbimeve të Shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” sha.
Arsyet që justifikojnë këtë vendim lidhen me faktorë të ndryshëm, ndër të cilët:
Zbatimi i projektit të rehabilitimit të thelluar të linjës hekurudhore “Vorë – Hani i
Hotit”, që do të sjellë ndërprerje të përkohshme të aktivitetit në këtë segment;
Situata e vështirë financiare e Shoqërisë, si pasojë e reduktimit të ndjeshëm të
aktivitetit ekonomik;
Përfundimi i kalendarit të lëvizjes së trenave të pasagjerëve në linjën “Shkodër – Gjormë”, i lidhur me pelegrinazhin e përvitshëm të besimtarëve në Kishën e “Shën Ndue” në Laç, i cili përfundoi më datë 13 qershor 2025.
Këto rrethana e bënë të domosdoshme ndërmarrjen e masave për optimizimin e strukturës dhe numrit të punonjësve, në funksion të objektivave afatmesme të reformimit të sektorit hekurudhor.
Pse u fillua me Bajzën?
Vlen të theksohet se procedura e pushimit kolektiv nuk është e lidhur me një zonë të caktuar dhe nuk ka nisur specifikisht me Bajzën. Kjo procedurë është një vendimmarrje e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” sha, e cila bazohet në kriteret ligjore dhe arsyet e përmendura më sipër, përfshirë situatën ekonomiko-financiare dhe ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit në disa segmente hekurudhore për shkak të fillimit të zbatimit të projekteve për rehabilitimin e linjave dhe Stacioneve.
Në këtë kuadër, procedura përfshin të gjithë N/Njësinë Rajonale të Veriut dhe nuk synon apo targeton ndonjë zonë të veçantë. Për rrjedhojë, nuk mund të thuhet se pushimet kolektive.. kanë filluar me Bajzën.
Cili do të jetë trajtimi I tyre?
Siç është sqaruar edhe personeli I cili është pjesë e këtij procesi, kjo procedurë është ndërmarrë mbi baza objektive dhe të mirëarsyetuara. Duke marrë parasysh edhe faktin që një pjesë e punonjësve të prekur nga kjo masë kanë shumë vite pune pranë “Hekurudhës Shqiptare” sha, të gjithë do të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Konkretisht, punonjësit përfitojnë të gjitha të drejtat ligjore që rrjedhin nga ndërprerja kolektive e marrëdhënies së punës, përfshirë kompensimet financiare, afatet e njoftimit dhe çdo përfitim tjetër që garanton Kodi i Punës dhe aktet përkatëse nënligjore.
A do të ketë edhe të shkurtuar të tjerë gjatë këtij viti? Aktualisht, nuk ekziston asnjë vendimmarrje nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” sha që parashikon ndërmarrjen e procedurave të tjera për pushime kolektive gjatë këtij viti.
Sa është numri i përgjithshëm i punonjësve hekurudhorë? Aktualisht, Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” sha ka një numër prej 445 punonjës për vitin 2025, në përputhje me Vendimin nr. 2, datë 20.01.2025, të Këshillit Mbikëqyrës.
Po numri i drejtorive, sipas sektorëve?
Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” sha është e organizuar në një strukturë funksionale e cila
përfshin disa njësi dhe drejtori, të ndara sipas sektorëve si më poshtë:
- Njësia Qendrore, e cila është e organizuar në 7 sektorë;
- Drejtoria e Zbatimit dhe Menaxhimit të Projekteve (PMIU), e strukturuar në 3 njësi/
sektorë; - Njësia e Biznesit të Udhëtarit, e organizuar në 3 sektorë dhe 3 nën-njësi rajonale;
- Njësia e Shërbimeve të Mjeteve Lëvizëse, e organizuar në 3 sektorë;
- Njësia e Biznesit të Mallrave, e organizuar në 2 sektorë dhe 2 nën-njësi rajonale;
- Njësia e Biznesit dhe Menaxhimit të Infrastrukturës, e organizuar në 9 sektorë.
Në përmbyllje, dëshirojmë të theksojmë se “Hekurudha Shqiptare” sh.a mbetet e angazhuar në procesin e reformimit dhe modernizimit të sektorit hekurudhor, në përputhje me zhvillimet infrastrukturore, teknologjike dhe kërkesat e tregut. Çdo vendimmarrje që ndërmerret ka në thelb
interesin e publikut, sigurinë dhe efikasitetin e shërbimit hekurudhor, si dhe respektimin e plotë të të drejtave të punonjësve në përputhje me ligjin.
Faleminderit për interesimin dhe bashkëpunimin tuaj.