BUJAR QESJA

Më nxiti kureshtjen kjo foto për shumë arsyje. Nuk e kam patur në gjendje, sapo më ka rënë në dorë. Foto e thjeshtë, bardhë e zi. Por ka brenda saj shumë bukuri. Shumë emocione dhe shumë kujtime. Në foto nuk është ndonjë kampion bote. Por ne e duam atë. Është një peshëngritës, një sportist më shumë se i thjeshtë. Është Qamil Qato ynë, peshëngritësi i “Lokomotivës” historike të Durrësit.

Sa i ka dhënë këtij sporti ky Qamil, që i ngrohu hekurat e ftohtë të shtangës, me ngrohtësinë e gjakut të tij. Dhe doli shumë vite kampion në peshën e rëndë. I jemi borxhli. E kemi përmëndur pak, për të mos thënë aspak. Dhe ai nuk është tërhequr nga kjo. Punën e kishte të rëndë në porto. E shikoje thellë në hambarët e vaporëve, duke mbajtur pesha të rënda.

Ky Qamil Qato e lidhi rininë me peshëngritjen. Ka patur trajner Fatmir Shytajn, që u përcoll për në banesën e fundit me 18 mars 2022. Por Qamili ynë i mirë, ka shumë vite që është ndarë nga jeta. U dëmtua në punë dhe nuk ngriti krye, derisa sosi frymëmarrjen. Por kam qenë me fat, që ma kanë sjellë këtë foto nga Italia dhe që e shikoj më në fund Qamil Qaton. Dhe shpejt për t’ua përcjellur, në këtë platformë masive komunikimi.

Foto po ta vrojtojmë me kujdes, na fikson disa pamje të rralla. Me siguri që është poshtë viteve 80-të. Na kishte marrë malli, për të parë pamje nga parku i famshëm “Nako Spiru”, me terrenin e së cilës lidhen vite të arta dhe të paharruara të sportit të Durrësit. Aty stërviteshin të gjitha ekipet e lojrave, me boks, peshëngritje, mundje, atletikë, pingpong, volejboll dhe basketboll. Dhe kemi qenë ndër të parët. Është punuar shumë, është derdhur po kaq shumë djersë dhe vlerësimet sigurisht kanë qenë morale. Dhe unë po vazhdoj të bëj të njëjtën gjë: të kujtoj moralisht, ato që u dhanë dhe sakrifikuan për sportin e qytetit.

Vëmëndja e dytë soset tek presidiumi. Qamil Qato i ka dhënë dorën, njërit prej organizatorëve më të spikatur në sportet e rënda. Është Rexhep Bagoj, që në opinion njihet me emrin Luti. I datëlindjes 1939, duke u fiksuar në 83 vite jetë. Pranë Lutit është komentatori i njohur i këtyre sporteve Xhafer Bogdani, njeri i mrekullueshëm. Dhe pak më tutje, një tjetër emër i njohur që i kemi borxh kujtesën. Është mjeku human dhe shumë masovik, një durrsak i thekur i inkurajimit të sporteve Sali Lloshi. Kur ia tregova Lut Bagojit këtë foto, për të parë shokun dhe mikun e tij të ngushtë Sali Lloshin, lotoj.

– Eh Sali sa mirë kemi shkuar bashkë, m’u duk sikur pëshpëriti Bagoj i madh i sporteve.
Qamil Qato punoi shumë për Durrësin, por i dha dhe një emër të madh boksit shqiptar. Ai është Kreshnik Qato, që mbeti i mbushur me krenarinë për Durrësin dhe durrsakët deri në fund të karrierës.

Qamil Qato kampion. Kreshnik Qato kampion. Familje kampionësh, duke përmëndur edhe Përtef Qaton, basketbollist kampion. Por i mbetemi borxhli. Kjo është arsyeja jo që u nguta, por vrapova ta publikoj këtë foto tërheqëse, me pamje dhe stof kampionësh.
Kreshnik Qato! Histori medaljesh, e peshnëgritjes së “Lokomotivës”.
Gjithnjë pranë nesh kampion!

Durrës: 6 prill 2022
Në foto: Qamil Qato duke marrë çertifikatën e vëndit të parë, në peshëngritje pesha e rëndë. Ia dorëzon Rexhep Bagoj. Në juri Xhafer Bogdani dhe Sali Lloshi.
Foto e vitit 1979