Në sheshin përpara bashkisë Durrës, mbrëmjen e sotme janë ndezur qirinj në shenjë homazhi për vogëlushin 8-vjeçar Mateo Vasiu, që u vra mizorisht nga fqinji i tij Klodian Çalamani.

Dhjetra qytetarë durrsakë, pa dallim moshe e gjinie, të prekur nga ngjarja e rëndë, disa prej tyre edhe me fëmijët përdore, u mblodhën më sheshin “Iliria” me tullumbace ndër duar.

2 prej qytetareve që ishin pjesë e këtij homazhi, apeluan që strukturat të angazhohen në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.

“Jemi mbledhur këtu sot për t`i treguar Mateos atje lart, që ne jemi këtu sot për ty dhe po e ngrejmë zërin për ty dhe për të gjithë fëmijët e tjerë që janë në rrezikshmëri. Jemi mbledhur për t`i bërë thirrje drejtësisë. Ju lutem merrni masa përpra se të ndodhin gjëra fatale si kjo.”

“Sot jemi mbledhur këtu në shesh, pikërisht në ditën e të drejtave të fëmijëve, për të treguar se ne do ta ngrejmë zërin dhe do flasim derisa organet kopetente të reagojnë. Ideja e gjithë mbledhjes sot është t`i tregojmë Mateso që ne jemi mbledhur për të sot.”,- thanë dy qytetaret.

Gjatë homazheve qytetarët shprehën interes të lartë për të plotësuar peticionin, që ka si qëllim rikthimin e dënimit me vdekje për të vënë drejtësi për vogëlushin, që u vra në mënyrë barbare nga Klodjan Çalamani.