Policia e shtetit ka njoftuar zyrtarisht për arrestimin e 35-vjeçarit Juri Ymeraj në Itali. Në njoftim thuhet se 35-vjeçari është arrestuar për tu ekstraduar në vendin tonë. Ai akuzohet nga GJKKO për pastrim parash. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Njoftimi:

Policia e Shtetit

Arrestohet në Itali, për t’u ekstraduar në vendin tonë, një 35-vjeçar i akuzuar nga GjKKO-ja, për pastrim parash.

Si rezultat i sigurimit të informacioneve nga Policia e Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe shkëmbimit të menjëhershëm të këtij informacioni, nga Interpol Tirana me Interpol Romën, Policia italiane arrestoi në Padova, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin J. Y., 35 vjeç.

Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Vijon bashkëpunimi me Interpol Romën, për të finalizuar ekstradimin e 35-vjeçarit, në Shqipëri.