Mbrëmjen e kaluar, “Impact Dance Company” dhe “Dance with Xhulja”, nën drejtimin e koreografes Xhulja Kodra, sollën në skenën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës një shfaqje të veçantë, si përmbyllje e sezonit artistik. Performancat e fëmijëve dhe të rinjve u pritën me duartrokitje dhe emocione nga një sallë e mbushur plot me prindër, familjarë dhe artdashës.
Kjo mbrëmje ishte një tjetër dëshmi e punës së palodhur dhe përkushtimit që prej 10 vitesh ka bërë “Impact Dance Company” një nga studiot më të vlerësuara në qytet.
Edhe pse sezoni përfundon këtu, sfidat artistike vazhdojnë: në korrik, studioja do të përfaqësojë Shqipërinë në një kompeticion ndërkombëtar në Spanjë, një tjetër hap i rëndësishëm për studion dhe një mundësi për të treguar vlerat e kërcimit shqiptar në një skenë më të gjerë.