Nga BUJAR QESJA

Ka lajme që vijnë qetë, por godasin fort. Ka ndarje që edhe pse priten nga rrjedha natyrore e jetës, përsëri lënë boshllëk të madh. I tillë është largimi nga jeta i Besnik Dukës, i cili mbylli sytë përgjithmonë në moshën 94-tër vjeçare, duke lënë pas dhimbje, mall dhe kujtime të pashlyeshme tek familja, të afërmit, miqtë dhe gjithë ata që e njohën.

Një moshë e tillë është bekim, por edhe histori. Në 94-tër vite jetë, njeriu nuk mbledh vetëm vite, por edhe përvoja, sakrifica, kujtime, gëzime e sprova. Mbledh mundin e përditshëm, rritjen e fëmijëve, ngritjen e familjes, nderin e emrit dhe respektin e shoqërisë. Kështu jetoi Besnik Duka, me thjeshtësi, me krenari, me përkushtim ndaj shtëpisë së vet dhe me respekt për njerëzit.

La pas bashkëshorten, shoqen e jetës, me të cilën ndau dekada të tëra përpjekjesh, gëzimesh e sfidash. La gjithashtu katër fëmijë, dy vajza dhe dy djem, të cilët janë fryti më i bukur i jetës së tij, vazhdimësia e gjakut, edukatës dhe emrit që mbajti me nder.

Kur ndahet nga jeta një prind në këtë moshë, nuk ikën vetëm një njeri i moshuar. Ikën shtylla e shtëpisë, ikën kujtesa e familjes, ikën ai që kishte parë gjithçka, lindje e dasma, vështirësi e ringritje, lot e buzëqeshje. Ikën ai që ishte kthyer në urtësi, në këshillë, në histori të gjallë për brezat më të rinj.

Familja Duka, njihet si fis me emër dhe peshë në Durrës, një derë e respektuar që ka ditur të ruajë traditën, nderin dhe lidhjet familjare. Emra të tillë nuk ndërtohen brenda natës, por krijohen me vite pune, sjelljeje të mirë dhe marrëdhënie njerëzore të ndershme.

Besnik Duka ishte pjesë e kësaj trashëgimie dhe u përpoq me sa mund, që ky emër të mbahej lart.

Në këto çaste dhimbjeje, vëmendja natyrshëm shkon edhe tek biri i tij, Abdulla Duka, i njohur për publikun si ekonomist dhe njeri aktiv në jetën shoqërore. Por mbi çdo detyrë e profesion, del në pah një cilësi edhe më e madhe, biri i përkushtuar ndaj prindërve.

Në moshën 68-të vjeçare, vetë me halle e sfida shëndetësore, Abdullai prej muajsh ndodhet në Itali për probleme delikate. Megjithatë, njeriu i vërtetë njihet në prova dhe biri i mirë njihet në ditët e vështira të prindit. Pavarësisht gjendjes së tij, zgjodhi të mos largohej nga i ati. I qëndroi pranë tek koka, me durim, me kujdes, me dashuri, deri në çastin kur Besniku dha frymën e fundit.

Ky është një veprim, që nuk matet me fjalë. Nuk përshkruhet dot me fjali të zakonshme. Është ajo mirësi e rrallë, që populli ynë e ka shprehur me mençuri: “Ja bëftë Zoti hallall, nëse e ka mirë.”

Dhe kur një bir, i qëndron babait pranë në sëmundje, në pleqëri, në net të gjata e ditë të lodhshme, atëherë hallalli i prindit, vjen nga zemra dhe bekimi ngjitet drejt qiellit.

Sot, në kohë moderne, kur shpesh dëgjojmë për largime, harresa dhe ftohje familjare, shembuj të tillë marrin vlerë edhe më të madhe. Sepse kujdesi për prindin, nuk është detyrim i shkruar në ligj, por në ndërgjegje. Është edukatë. Është shpirt. Është nder.

Abdullai, së bashku me motrat dhe vëllanë, qajnë humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë. Por njëkohësisht mund të ndihen krenarë, që i dhanë babait dashurinë, që meritonte deri në fund. Dhe ky është ngushëllim i madh në dhimbje.

Edhe lidhja familjare me fisin e njohur Oketa, përmes bashkëshortes së Abdullait, tregon se familjet me traditë dinë të bashkojnë vlera me vlera, respekt me respekt dhe emër me emër. Kur dy dyer të nderuara lidhen, trashëgimia forcohet dhe vazhdon.

Largimi i Besnik Dukës është humbje për familjen, por edhe kujtesë për të gjithë ne. Kujtesë se jeta është e përkohshme. Se vitet kalojnë shpejt. Se ajo që mbetet në fund nuk janë pasuritë, as zhurma e kohës, por dashuria që kemi dhënë, njerëzit që kemi rritur, duart që kemi mbajtur dhe emri që kemi lënë pas.

Besnik Duka e mbylli jetën, me gjënë më të çmuar pranë vetes, familjen. Me bashkëshorten, me fëmijët, me birin tek koka, me lutjet e të afërmve dhe me respektin e njerëzve. Kjo është një ikje e dhimbshme, por edhe e bekuar.

Lotët rrjedhin, kujtimet flasin dhe heshtja rëndon në shtëpinë e Dukajve. Vendi i tij, do të mbetet bosh. Fjala e tij, do të mungojë. Prania e tij, do të kërkohet. Por njeriu nuk humbet kur largohet nga jeta, por vetëm kur harrohet. E Besnik Duka nuk do të harrohet. Do të kujtohet si bashkëshort i përkushtuar, si baba i dashur, si gjysh i urtë, si njeri i ndershëm dhe si pjesë e një dere me emër.

Do të kujtohet në tavolinat familjare, në bisedat e mbrëmjes, në fotografitë e vjetra, në tregimet që nipërit e mbesat do të dëgjojnë për të.

Në këto çaste të rënda, ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes së nderuar, vajzave, djemve, veçanërisht Abdulla Dukës, si dhe gjithë fisit Duka e Oketa.

Zoti ia ndriçoftë shpirtin Besnik Dukës dhe e pastë në paqen e amshuar!

Ndërsa familjes, u dhëntë forcë ta përballojë këtë humbje me krenarinë, që vetë Besniku ua mësoi gjatë gjithë jetës së tij.

Dheu i lehtë Besnik Duka, durrsaku ynë i mirë dhe i gjithkohshëm!

Bujar Qesja

Durrës: 30 prill 2026