Nga BUJAR QESJA
“Mjeshtër i Madh”

Arsimi në Durrës pësoi goditje të ndjeshme. Nga personalitetet përkushtuese të tij Burhan Hoti, nga 28 nëntori 2022 nuk jeton. Emër i njohur ky Hoti i arsimit, shprehje e atij përkushtimi të jashtëzakonshëm për afro katër dekadash, që iu fal kësaj fushe. Biografia e Burhan Hotit, është e plotësuar nga përpjekjet e mëdha që bëri ky njeri i zoti dhe i vlefshëm.
Viktor Hygoi diku shkruan:” Dy janë nëpunësit kryesorë të shtetit: nëna dhe mësuesi”. Dhe tek Burhan Hoti ishte plotësuar në prefeksion detyra e mësuesit. U lind në Shkodër me 11 shkurt 1929. Shkodra e famshme e traditave, djepi i gegnishtes, gjuha me të cilin shkruajti kolosi i mendimit At Gjergj Fishta. I jati Rizai, pavarësisht vështirësive u kujdes që i biri të pajisej me kulturë dhe dije. Por edhe fort i vëmëndshëm ky djalë shkodran, për të sfiduar në thithjen e njohurive, por edhe në sfidën e të mësuarit të vetes dhe të të tjerëve.

E kam dëgjuar të më fliste njëherë ky zotni i arsimit:
“Më e mira që njohu dhe kuptoi njeriu në jetë, është të mësuarit”. Duke çfrytëzuar gjithë mundësitë e arsimimit në ciklin e ulët dhe të mesëm, Burhan Hoti ndërtoi atë raport me shkollën dhe të mësuarit, duke iu fal njëqind përqind asaj. Fat për djaloshin shkodran ishin mësuesit e tij Mark Ndoja, Preng Kaçinari, Qemal Draçini, Filip Ndoci, Petraq Fundo etj. Dhe Hoti i ri këtë fat për vete, e ktheu edhe në një fat për mësuesit.
Krenaria, nderi dhe kënaqësia e mësuesit është kur nxënësi vlen, bëhet i aftë, pse jo edhe duke ia kaluar atij. Kështu ndodhi edhe me Burhan Hotin, ku puna e lodhshme dhe e mundimshme, e ngriti në kufijtë nderues. Ai i dha jetës sentencës së njohur:”Arsimimi është çelësi i suksesit. Ai është fytyra e mëndjes së njeriut”.

Fillimet e mësuesisë, vendosen në fshatin Vrith në zonën e Shkodrës. Pasionant, energjik, me plot etje dhe dëshirë për t’ia dalë. Sa vështirësi i janë dashur, që në kushtet e analfabetizmit, të një Shqipërie të dalë nga lufta të mësonte jo vetëm fëmijët, por edhe 40 vjeçarët, të pamundur për të parë qoftë edhe një libër.

Deviza e Burhan Hotit, në tërë harkun kohor të 40 viteve që punoi në arsim ishte:
“Nëse mendoni për një vit, mbjellë një farë. Nëse mendoni për dhjetë vjet, mbjell një pemë. Nëse mendoni për 100 vjet mëso njerëzit”.

Jeta e punës e këtij kolosi të arsimit kombëtar, pasi veprimtaria e tij u rrok në Shkodër, Kukës, Tropojë, Durrës, Tiranë e gjetkë, është nga më të veçantat. Andaj dhe ndarjen e tij nga jeta, e trajtojmë si humbje të madhe të arsimit. Vitet që kalonin, e bënin më të vetëdijshëm për pozicionin që kishte zgjedhur. Në këmbë, në kohë me shi dhe dëborë, në kushte të vështira të relievit ku shin të ashtëquajtura shkolla, Burhan Hoti mbetet nga luftëtarët për arsimim, civilizim dhe emancipim shoqëror. Ndihmesa këtu është sipërore.

E dinte fort mirë që: shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë. Kështu punonte e punonte pa njohur kufi kohor, pa u ankuar, duke e matur jetën me atë çka jepte, pa pretendime, pa kërkesa, por gjithnjë në ballë e në krye.

Shoqëria e jonë i detyrohet Burhan Hotit. Nuk e pretendoj këtë, por për t’a ditur se çfarë kemi humbur me 28 nëntor 2022. Nga 93 vite jetë, 40 i takojnë arsimit, e koha tjetër studim, lexim, hulumtim, letërsi e botime. Në librin “Hulumtime Historike”, shënime dhe jetëshkrime, mësojmë për atë përkushtim të tejskajshëm të këtij heroi do ta konsideroja të arsimit.

Jam i bindur, se nëse do të ishte ende me frymë, Burhan Hoti nuk do të m’i lejonte superlativat për të, megjithëse të gjithë e dimë se ai këto i meritonte. 21 vjeçar inspektor arsimi në Tropojë. Dhe ku? Në zonën më të thellë dhe më probematike atë të Nikaj Mërtur-it. Rezultate mahnitëse në luftën kundër prapambetjes dhe injorancës.
Me punë, kokëulur, modest por shumë punëtor, duke ndjekur kurdoherë shembullin për të mësuar qoftë edhe nga një nxënës në moshë të njomë, Burhan Hoti shënon ecuri në karrierë. Emërohet kryeinspektor në arsim në zonën e Tropojës. Në vitin 1953 inspektor në rrethin e Kukësit, duke shtrirë spektrin e punës në zonën më të thellë verilindore të Shqipërisë në Tropojë, Kukës, Has, Krumë, Lumë etj.

Këtu i mori provimet e parë të jetës ky Hot i arsimit, duke kaluar vështirësi pas vështirësish, e duke mos kërkuar asgjë para asaj që dëshironte të jepte. Asnjëherë nuk u dëgjua të thonte:”Këtë e di unë”! Asnjëherë nuk u mburr me emërimet e reja, por i shikonte si detyrime për të dhënë më shumë, për të ndihmuar më shumë në edukimin, kulturën dhe arsimimin e njerëzve.

Shkolla e mesme “8 Nëntori” e Kukësit (sot “Havzi Nela”), njohu drejtorin e parë të saj në vitin 1956 Burhan Hotin. Ky emër tashmë kishte marrë dhenë dhe kudo pritej me dashuri dhe respekt. I donte kolegët. Linte kokën për nxënësit. Nuk vendoste asnjëherë pa marrë mendimin e tyre, duke mbetur i barabartë në mes të barabartësh. Përvoja në punë po rritej. Formimi i tij gjithashtu. Kujtojmë që ishte në këtë detyrë 26 vjeç.

Nga drejtori i parë në Kukës, në të parin pozicion drejtues edhe në shkollën e mesme “16 shtatori” në Shijak. Zgjerimi i njohurive, rritja e shkallës së kualifikimit, bëhej paralel me shtrirjen e pozicioneve të reja të detyrave. Siç u vu re më pas, Durrësi ishte me fat që në vitin 1960 në seksionin e arsimit, erdhi të punoj një kalibër i tillë i mësuesisë si Burhan Hoti. Ngrihet në pozicionin e kryeinspektorit dhe të drejtorit të kabinetit pedagogjik.

Gjithnjë dhe në çdo rrethanë mbeti ai, shkodrani i pabujë, i miri, i mënçuri, euriditi, që për çdo orë e për çdo ditë, nuk e ndante nga duart librin, mësimin, shtrirjen dhe thellimin e njohurive. Pa mësuar vetë, nuk mund të mësonte të tjerët. Zbulonte të renë, të bukurën, të artën dhe më pas këtë e kalonte tek kolegët, tek nxënësit, tek bashkëpunëtorët.

Caktohet vite të tjera në qarqe arsimore të vëndit, në Tiranë. Fjalën e tij, mënçurinë e tij, njohuritë dhe përvojën e tij, ishte e nevojshme t’i kërkohej shërbimi. Burhan Hoti falë detyrimit për të rritur shkallën e kualifikimit nga viti 1957, pa iu ndarë detyrave shtetërore e më tej, përfundoj studimet në dy fakultete: në histori filologji dhe gjuhë letërsi.
Kur u ngrit filiali i Durrësit i Universitetit të Tiranës, Burhan Hoti dha lëndët në shkencat shoqërore. Kaloi si pedagog i thjeshtë, duke lartësuar mësimdhënien në përgatitjen e mësuesve të rinj. Serioz, korrekt, i komunikueshëm, me humor plot kripë nga vendlindja e tij, duke qenë në pozicione të avantazhuara si konsulent, metodist , por dhe i marrjes përsipër të detyrave dhe vështirësive.

Burhan Hoti e ngriti lart stekën e mësuesisë, por edhe të portretit të edukatorit të përkushtuar, duke mos u tërhequr as edhe një çast nga synimet për t’ia dalë. Nga drejtues i arsimit në Durrës, në metodist dhe kërkues, kontrollues i zbatimit të kërkesave të mësuesisë në shkolla, por edhe si veprimtar shoqëror i pashembullt. Oratoria, elekuenca në të folur, gjuha e bukur e shprehur në mendime dhe figuracione të veçanta, i jepnin të tjera statuse në jetë këtij flamurtari, të përhapjes dhe zhvillimit të kulturës dhe arsimit.

Ky shkodran i urtë dhe fisnik, krijoi raporte të shkëlqyera në shoqërinë e Durrësit. Durrsakët linin kokën për të dhe e kujtojnë me shumë mall dhe me shumë respekt. Komunikimi me kulturë ekselencë, lapsi i hollë dhe i mprehtë, ishte i domosdoshëm në pozicionin e veprimtarit shoqëror. Respekti nga vetja, u nis së pari për të respektuar miqtë dhe kolegët. Një format i tillë njerëzor, mbushur me cilësi nga më të mirat, nga më të zgjedhurat, krijonte preferenca lakmuese për çdo kënd.

Vlerësime pas vlerësimesh, opinione dhe opinione, të gjitha në favor të këtij njeriu që përpinte çdo njohuri për t’ia kthyer shoqërisë në investim kulturor edukativ, arsimor dhe qytetar, do të arrihej tek titulli aq lakmues dhe nderues “Mësues i Merituar”.

Burhan Hoti ndërtoi familje të pasur në virtyte, duke zënë vënd të merituar në shoqërinë e civilizuar durrsake. Iu bë krah Burhanit, gruaja me personalitet të spikatur nga Peja e Kosovës Nadire Hoti. Punoi shumë çifti Hoti, për edukimin dhe arsimimin e dy djemëve Ilirit dhe Vegimit. Emra me kuptim të mëmëdheut: Iliri dhe Vegim (ëndërr). Dhe në fakt dy djemtë ishin ëndërra e Burhan dhe Nadire Hotit.

Iliri pasi mbaroi fakultetin e ekonomisë dhe agrobiznesit, arriti deri në detyrën e guvernatorit të Bankës Kombëtare Shqiptare. Më pas si profesor i asociuar emërohet Dekan i fakultetit të biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Vegimi inxhinjer elektronik prej vitesh, jep mjeshtërinë e tij në “Autoritetin Portual të Durrësit”.

Burhan Hoti përballoi njëra pas tjetrës fatkeqësi, që sigurisht ndikuan në gjëndje të rëndë shpirtërore. Me 2 mars të vitit 2016, si shkak i sëmundjes së pashërueshme, në moshën 59 vjeçare ndal jetën Iliri, djali i madh i familjes së origjinës. Iliri len në pikëllim të jatin, por edhe djalin Getarin që është mjek në Itali, vajzën Altinën që jeton në Gjermani dhe bashkëshorten Dhuratën, ekonomiste në Bankën Botërore Tiranë.

Më parë Burhani kishte humbur të shoqen, Nadiren. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, humbet shikimin. Dhe kjo i ndodh sapo kalon të 80-tat. Familja e Vegimit i ndodhet pranë. Mbesa aq e dashur Ambla e ëmbël dhe Rubini, floriri i gjyshit, nusja e shtëpisë shkodrania Enkelejda, iu ndodhën pranë. E shoqëronin në çdo hap dhe kujdeseshin për të.
Burhan Hotit i iku shikimi, por forca e paepur e karakterit, bëri që të shikonte me sytë e mëndjes, të asaj mëndje që e udhëhoqi në karrierën e gjatë dhe të merituar të mësuesisë. Mosha në thyrje të plotë, dhimbjet e thella shpirtërore, sëmundjet ia brejtën fizikun dhe ia dobësuan atë. M’u bash në ditën e flamurit, me 28 nëntor 2022, në konakun e Burhan Hotit ra fatkeqësia.

Flamuri i mirësisë, kulturës dhe qytetarisë, i arsimit dhe i dijes ra me largimin nga jeta të këtij kalorësi të mënçurisë.
Por jam i sigurtë se nuk do të bije në asnjë moment dhe mbahet e ndezur, memoria, kujtimi dhe mos-harresa e njërës përej figurave më të spikatura të arsimit kombëtar. Shkodra që e lindi dhe i dha zjarr idealeve të tij, Durrësi që ia ndjeu fuqinë djalit përkushtues të arsimit dhe kulturës, Tirana e gjetkë ku shërbeu, kanë njëmijë arsyje t’a vendosin në piedestalin e nderit Burhan Hotin dhe t’ia trashëgojnë këtë shembull pasardhësve.

Ajo ç’ka dha dhe ç’ka bëri në të gjallë Burhan Hoti, mbetet shkak i përjetësisë. Do të ishte me fat ajo shkollë, apo ai këshill pedagogjik, apo ai kolektiv nxënësish dhe mësuesish, të meritonin emrin historik për arsimin Burhan Hoti.

Bujar Qesja
Durrës: 3 dhjetor 2022