Nga Gëzim KABASHI
Piktori durrsak Sali Xhixha më 7 shkurt 2012 ka festuar 80-vjetorin e lindjes mes miqve, shokëve kolegëve e bashkëqytetarëve të shumtë.
Në mjediset e galerisë së arteve “Nikolet Vasia” të qytetit bregdetar u ekspozuan me këtë rast 80 punime të autorit durrsak, të cilat ishin qëmtuar me kujdes nga fondi i galerisë së arteve në bashkëpunim me djemtë artistë të familjes Xhixha.
Një festë e bukur, e cila sfidoi të ftohtit e këtyre ditëve.
Tablotë e Sali Xhixhës rikthyen peisazhet e hershme të qytetit, portretet e njerëzve të njohur e më pak të njohur, rikthyen në vemendje natyrat e qeta dhe kompozimet e shumta, frut i një pune të gjatë e plot vullnet, të një artisti që bashkë me tablotë e tij krijoi edhe një profil individual tashmë të spikatur.
Djaloshi që kuriozitetin fëminor për ngjyrat e ktheu në lajtmotiv të jetës së tij punoi për shumë vite si piktor në ndërmarrje të ndryshme të qytetit, por tablotë e tij ishin të pranishme në dhjetra ekspozita lokale dhe kombëtare të vendit.
Me nismën e Sali Xhixhës në Durrës dhe në Kavajë në vitet 1950-1970 hapen disa reparte të prodhimit të objekteve artistike. Ai bëhet gjithashtu drejtues i rretheve jashtëshkollore të piktorëve të rinj.
1947, ekspozita e parë personale
Bashkë me 80-vjetorin e lindjes Sali Xhixha feston këtë vit edhe një përvjetor tjetër, atë të ekspozitës së parë personale në vitin 1947.
Tabloja “Demonstrata e Durrësit” është kompozimi i paraqitur në ekspozitën e hapur 65 vjet më parë dhe që ka zënë vend në personalen e katërt që ka përuruar mbrëmjen e kaluar piktori 80-vjeçar.
Penelatat ekspresive të Xhixhës ndjehen qartë edhe në peisazhet e qytetit të viteve 1950-1970.
Durrësi ka ndryshuar dhe një pjesë e godinave dhe objekteve që Xhixha ka përjetësuar nuk janë më pjesë e qytetit. Kjo është një arsye më shumë që bashkë me vlerat artistike ato të kenë një rëndësi të madhe dokumentare për brezat e ardhshëm të durrsakëve.
“Janë punime që duhen vlerësuar, pasi përbëjnë edhe një leksion mjaft të mirë për artistët e rinj-thotë Artisti i Popullit Muntaz Dhrami, mik i përhershëm në ekspozitat e hapura në Durrës. Sot fatkeqsisht të rinjtë rendin pas fitimit të lehtë dhe kjo i bën të harrojnë elementët e pikturës tradicionale-vëren Dhrami, i cili më pas ndalet te veprimtaria: Kjo ekspozitë personale me veprat e punuara në 6 dekada mundëson edhe një vështrim më të detajuar në evoluimin profesional dhe artistik të kolegut Sali Xhixha-shton skulptori nga kryeqyteti.
Disa nga punimet e Sali Xhixhës bëhen gjithashtu dëshmi e dritë-hijeve të qytetit në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Kompozimi “Fabrika e cigareve” është një nga tablotë e tjera që rikujtojnë një kohë tjetër, me vështirësitë dhe sakrificat e saj.
Iliri dhe Helidoni, trashëgimtarët artistë
Nuk e patëm të vështirë të përzgjidhnim punimet e Xhixhës, pasi më shumë se 50 prej tyre janë ruajtur në fondet e galerisë së arteve.
Mes 1140 punimeve të dhjetra artistëve shqiptarë, që ruhen në fondet e kësaj galerie numrin më të madh e zenë ato të Sali Xhixhës, një tjetër “rekord” për autorin flokëbardhë.
“Ishte periudha kur komisionet e vlerësimit të veprave artistike në Durrës i drejtonte Vangjel Toçi, i cili përveçse një personalitet i veçantë i kulturës në Durrës ishte edhe një dashamirës i madh i artistëve”.
Qazim Kërtusha, një nga skulptorët më produktivë të qytetit tonë sjell një dëshmi tjetër për kujdesin që Toçi tregonte ndaj krijuesve, gjë që ka sjellë edhe konservimin e veprave të Xhixhës dhe shumë piktorëve te tjerë në fondet e galerisë së qytetit.
Kornizat e reja të telajove, mundësuar nga Iliri dhe Helidoni, dy djemtë artistë të familjes Xhixha i kanë dhënë një dritë të re punimeve të autorit durrsak.
Ata kanë ardhur enkas nga Italia, së bashku me të ëmën Nashiferen, si dhe me të vëllain Shabanin dhe Majlindën, motrën e vetme të Xhixhave.
Përgatitja e ekspozitës së katërt personale të babait në vigjilje të ditëlindjes së tij ishte një detyrim i hershëm.
Iliri, i cili ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve në Brera (Milano) ia dedikon arritjet e tij të jatit piktor. “Unë jam laparosur me bojrat në studion e babait që kur isha fëmijë dhe po aty kam hedhur hapat e parë si piktor-tregon Iliri, i cili më pas e vlerëson kështu punën e Sali Xhixhës: Më ka befasuar gjithmonë piktura e tij impulsive dhe kapriçoze e po ashtu më bën përshtypje mënyra se si e përdoron spatulën në tablo-thotë Xhixha i ri për të jatin piktor.
Bashkë me të vëllain, Helidonin, një tjetër skulptor i afirmuar tashmë jo vetëm në Itali, dy trashëgimtarët artistë Xhixha kanë nisur të grumbullojnë veprat e të jatit, të shpërndara në qytete të ndryshme të vendit.
“Babai na ka ushqyer gjithmonë me ndjenjën e dashurisë ndaj të bukurës, elegancës dhe formës-thotë , Helidoni, i cili vitet e fundit ka ekspozuar punimet e tij në disa nga sheshet kryesore të qyteteve të Italisë së veriut. Ne jemi rritur në një studio pikture dhe kjo na ka implikuar në gjithçka-shton ai.
Helidoni e përkufizon të jatin si një “artist 360 gradë”, pasi sipas tij Sali Xhixha ka patur gjithmonë një gjuhë të veçantë komunikimi me spatulën dhe megjithëse ka punuar në kohë të vështira e të kufizuara për artin ka qenë mjaft i lirë në shprehjet e tij. Më pas ai i rikthehet projektit që ka bashkë me të vëllain, Ilirin, për të krijuar një arkivë personale me punimet e Sali Xhixhës.
Plarenti, djali i arkeologut Vangjel Toçi sapo u ka premtuar se do tu bëjë të njohur një autoportret të Sali Xhixhës, të cilin e kishte porositur vetë arkeologu i njohur.
“Ndërsa një portret mjaft të goditur të Sali Xhixhës e ka punuar vite më parë piktori durrsak, Bujar Lila-thotë Qazim Kërtusha.
Një tjetër autoportret, mjaft shprehës i autorit Sali Xhixha ka zënë vend në hyrje të ekspozitës, ndërsa vetë piktori falenderon organizatorët dhe bashkinë e Durrësit, e cila më këtë rast e nderoi me Çertifikatën “Mirënjohja e qytetit”.
Nga libri “Me artistët e qytetit”
