Nga BUJAR QESJA

Ndër urimet për vitin e ri 2022, ishte edhe kjo: “Paç sa më shumë mundësi të shkruash për gëzime”. E kjo do të ishte idealia. Por ja që në këtë muaj të parë të vitit 2022, dhimbjet nuk na ndahen dhe lajmet e hidhura bëhen pjesë e përditshmërisë tonë.

Sokol Hyseni mbylli sytë, në orët e para të mëngjesit të 22 janarit 2022. Një ditë e ftohtë, duke u bërë edhe më akullt nga lajmi korb i zi që na pllakosi. Koli një djalë shumë i talentuar i basketbollit të “Lokomotivës”, u mëkua me dashurinë për sportin e koshit që i njomë. Traditat e hershmërisë së basketbollit të frikshëm durrsak, kishin bërë vënd tek pasioni i jashtëzakonshëm i Sokol Hysenit dhe e udhëhoqën atë deri në rininë e vonë.

Kol Hyseni u bë figurë qendrore e basketbollt të “Lokomotivës”, veçanërisht pas largimit të Spiro Hotovës, duke komanduar në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90-të. Por kariera e tij mbetet e pasur që në vogëli. Haxhi Boshnjaku filloi t’ia përkëdhelë talentin Hysenit, duke e dalluar ndër shokët. Pastaj kolosi Dhimitraq Goga ia bashkoi aftësitë me ato të grupit, duke e bërë shumë herët të njohur.

Në vitin 1977, kur basketbollin e të rinjve e drejtonte një emër i njohur Femi Hyka, Sokol Hyseni me një grup ëndrrimtarësh si Gjergj Ngresi, Fatmir Babaliu, Ylli Ballanca, Spiro Suli, Sabri Rustemi, Panajot Nushi, Arben Myrto, Arben Lako, i rikthyen Durrësit titujt e kampionit për të rinj. Më pas këtij grupi iu shtuan edhe basketbollistët Igli Goga, Ilir Ngresi, Arben Kondi, Zhani Noti, Arben Tutra etj. Dhe ndër shokët dallohej gjithnjë ai, Sokol Hyseni.

Performanca e këtij basketbollisti cilësor, erdhi dhe u përmirësua dukshëm me kalimin në ekipin e të rriturve. 18 – 19 vjeçar u bë titullar i “Lokomotivës” në kohën kur drejtojnte kryefigura e basketbollit Niko Hercek, e më pas Niko Profkola. Basketbolli i Sokol Hysenit, ishte plot temperament e finesë. Ai mbeti një organizator i lindur dhe shënues i përpiktë nga distanca, duke ruajtur klasin e krijuar nga idhujt e basketbollit durrsak si Hercek, Profkola, Hotova, Reka, Agaraj, Kurtbegovi, Gashi, Rustemi, Dollani, Kalebota, Agaraj, Jaho etj. Tifozëria durrsake ia miratonte lojën dhe e kishte idhullin e saj.

Pas vitit 1993, Kol Hyseni jo vetëm që nuk hoqi dorë nga basketbolli, por e rriti më shumë prezencën e tij. Tashmë në detyrën e trajnerit. Më fëmijët e ditëlindjes 2004-05, Sokoli trajnoi ardhmërinë e basketbollit, duke dalë fitues ndër rivalët. Në vitet 2014 – 2018 trajner i të rinjve të “Teutës” dhe paralelisht drejtonte grupe të moshave të ndryshme fëmijësh.

Ai që krijoi një të ardhme të tij si basketbollit, punoi shumë që këtë ardhmëri t’ia trashëgonte edhe moshave të reja të basketbollit. Kulmin puna e tij e shënoi në vitin 2010, kur pas 30 vitesh një specialist basketbolli, tentoi të rikthejë traditën e femrave në sportin e koshit. Së pari solli vajzën e tij dhe më pas thithi pranë ekipit dhe vogëlushe të tjera. E kam takuar disa herë pasditeve në parkun nostalgjik “Nako Spiru” teksa punonte pa u lodhur. Gjithnjë më thonte:-Duhet t’ia kthejmë Durrësit traditën në basketbollin e femrave. Kemi patur emra të njohur, por që kanë mbetur si kujtim i largët. Nuk do të lodhem së bëri diçka të mirë!

Dhe puna e tij nuk rreshti. Të gjithë durrsakët ia njohin klasin, ia njohin vlerat, ia njohin pasionin dhe dashurinë e madhe që tregoi, ndaj basketbollit dhe përtëritjes së traditave.

22 janari i vitit 2022 erdhi shumë i ftohtë. Akoma më i ftohtë na u duk, me largimin nga jeta të Sokoli Hysenit, të kolit tonë aq të mirë, aq të sinqertë dhe shumë punëtor. Dhe na takon të mos e harrojmë. Dhe na takon t’ia çmojmë meritat, ashtu sikundër po bëjmë për të në këtë inmemoriam.

Sokol Hyseni, gjallesa e përjetshme e basketbollit!

Durrës: 22 janar 2022