Nga Bujar Qesja
Një emër me peshë, personalitetet i fushës së zhvillimit dhe progresit shoqëror, një punëtor i madh, madje hero i punës në të djeshmen dhe të sotmen, shembulli frymëzues i punëtorisë Ramazan Ferra, nuk është më ndërmjet nesh. Hidhërimi dhe pikëllimi, trishtimi dhe dhimbja, bashkohen në një duke i nxjerrë të plota përmasat e humbjes.
Ramazan Ferra është i biri i “Dëshmorit të Atdheut” Isuf Ferra, ku forcat naziste e torturuan barbarisht. Kjo bëri që Zani të rritej pa baba. Por dhimbjet në jetë nuk iu shuan. Tjetër heroinë nga familja Ferra ishte edhe Zyraja, personazhi kryesor i filmit “Rrethi i Kujtesës”. Të dy vëllezërit, Rasimi më parë dhe më pas Sejfullai e lanë të vetëm. I pari tragjikisht mbyll sytë në duart e Ramazanit, pasi shtypet barbarisht nga një mjet i forcave gjermane, ndërsa Sefa sëmurët papritur.
E ëma e Ramazan Ferrës Hafizeja, është e bija e të famshmit Sefer Efendi Kazazi. Në të tilla rrethana, Zanit i duhet të përballet i vetëm me jetën. Motrat Meremja dhe Manushaqja martohen të reja dhe ikën nga shtëpia për të jetuar në Tiranë.
Ramazan Ferra hero dhe bir heroi. Ramazan Ferra hero dhe vëlla heroine. I lindur në luftë, i rritur në punë dhe mbylli sytë në tjetër organizim të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të vendit. Jeta dhe veprimtaria e Ramazan Ferrës është unikale, ku bashkohen në një mbijetesa, përpjekjet e jashtëzakonshme për t’u përshtatur në çdo periudhë të jetës, herë me dhimbje brenda trupit të njomë, herë me qendresën për të parë sukseset në angazhimet e mëdha në punë dhe herë me mundësitë organizative, për t’ia lënë stafetën më të rinjve dhe veçanërisht djalit të madh Isufit.
Por aleati më i madh i këtij burri të çquar, mbeti puna dhe vetëm puna. Aftësohet në profesionin e tornitorit dhe shkëlqen. Shkon në Poloni dhe mbaron shkollën teknike, duke u rikthyer aty ku e la në ORMN. Atje bashkëpunoi me shumë mjeshtra dhe nisën të riparojnë dhe prodhojnë pjesë në ndihmë të mjeteve të ndërtimit. Shumë shpejt dalin në pah aftësitë punuese dhe organizuese të këtij mekaniku të florinjtë, ku shkonte në punë në mëngjes dhe kthehej vonë në mbrëmje. Jetë me mundime, me përpjekje, me vetmohim dhe sakrifica. Dhe ia ka dalë në mënyrën më të mirë të mundshme.
I ri emërohet në detyrën e drejtorit të NSHMN-së (Ndërmarrja e Shfrytëzimit të makinerive të ndërtimit), pasi më parë drejtoi ofiçinën e ORMN-së. Mbeti i njëjti. Disiplinë, organizim, mobilizim, paraprijës i punëtorisë, mekanikëve, transportuesve, novatorëve, duke përsosur metodologjinë e punës, kombinuar me akomulimin teorik e praktik.
Jo vetëm në këto rradhë që bëhet e qartë, por po të pyesësh jo vetëm në Durrës dhe më gjërë, portreti i Ramazan Ferrës del i plotë kur bëhet fjalë për mënçuri, burrë me integritet dhe zotni me cilësi të fisme. Duhet theksuar për të satën herë: shumë punëtor. Punëtorët ia dëgjonin fjalën, pasi e shikonin që drejtori i tyre, e kishte lënë zyrën dhe e kishte çvendosur atë në terrenin konkret të punëve.
23 vite e drejtoi këtë NSHMN, duke shkëlqyer si njeri i thjeshtë dhe i afërt me njerëzit, si organizator dhe kuadër i talentuar, si mbështetës i së resë, punëtor i madh, sakrifikues e i pashembullt. I pari hapte ndërmarrjen dhe i fundit e mbyllte. Kur i kujtoj edhe tani emrin, është vërtet i rrallë. Disiplinë, rregull, mbështetje të fuqishme punëtorisë, duke hapur menca, e duke iu ndodhur atyre në halle dhe në gëzime.
Në NSHMN ky Ramazan Ferra, mbështeti nismat e mëdha që i duheshin vëndit dhe jo politikës, i duheshin zhvillimit ekonomik, bujqësor dhe industrial. Mbështeti me teknikë të fuqishme, të gjitha veprat e artit që u bënë në hekurrudhat shqiptare, Fier -Ballsh, Laç-Lezhë-Shkodër, Fier-Vlorë. Në NSHMN u prodhuan rimorkiot 20, 40 dhe 60 tonëshe, që u nevojiten në transportin e turbinave për hidroçentralet e vëndit dhe pajisje shumë të rënda, për veprat strategjike që ndërtoheshin.
Veç këtyre me besimin se mund t’ia dilnin, Ramazan Ferra ngriti në këmbë punëtorinë për të prodhuar konstruksione e mëdha të metalurgjikut, makineritë e rënda të ndërtimit si buldozerë dhe eskavatorë, prodhoi makineritë për fabrikën e çimentos në Tiranë, shoshat vibruese për kantjerët e ndërtimit, vinça açensorë për suvatime, vinça ndërtimi me kapacitet 0.5 ton, presa me vakum për fabrikat e tullave, makineri për fabrikën e Gomës në Durrës. Dhe jo vetëm.
Në vitin 1990 emërohet drejtor i bonifikimit. Dhe këtu u ndje dora e fortë e organizimit, disiplinës dhe e arritjeve.
27 maj 1982 “Heroi i Punës”, 26 tetor 2012 “Nderi i Qytetit të Durrësit”, kur para kësaj ishte me titullin “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit”.
Punoi edhe pas 80-tave, në biznesin e të birit Isufit Ferra&CO. Edhe këtu tregoi të njëjtat cilësi të organizatorit dhe mendimtarit të rrallë. Kudo ai. Kontrollonte lëndën e parë, vrojtonte me kujdes linjat e prodhimit dhe nxiste punëntorët të ishin kurdoherë të gatshëm në përmbushjen e detyrave.
Është fat që shembullin e të jatit si punëtor dhe organziator, si përshtatës i logjikshëm në zhvillimit e ekonomisë së tregut, po e ndjek edhe i biri Isuf Ferra, ku kompania që drejton Ferra& CO, mbetet shembulli i progresimit dhe konkurencës së ndershme.
Ramazan Ferra mbeti deri në fund të jetës bashkshorti ideal, babai i dhëmbshur, gjyshi aq i ëmbël dhe i dashur për nipërit dhe mbesat, i afërmi, miku dhe shoku i respektuar. Ky burrë i madh nuk jeton, por puna dhe përpjekjet e tij të jashtëzakaonshme sa ishte me frymë, nuk ka gjasa të harrohen jo vetëm sot, por as mot.
Dhimbja është pa kufi. Familja e madhe Ferra, humbi pinjollin më të zëshëm të saj, ndërsa shoqëria dhe qytetaria durrsake, përfaqësuesin më të spikatur. Ajo çka dha dhe çka bëri në të gjallë të tij, senatori i përjetshëm i punëtorisë durrsake, është në të tilla përmasa, që sido të jetë nuk ka për t’u harruar. Ky do të jetë shpërblimi më i madh, që i bëhet këtij burri të mënçur të qytetartisë dhe puntorisë.
Lamtumirë Ramazan Ferra! Dhe i lehtë i tokës tënde!
Bujar Qesja
Durrës: 26 janar 2025















