Skulptori durrsak, Ilirjan Xhixha, ka hapur ditët e fundit një ekspozitë në qytetin zvicerian të Luganos.

Në ekspozitën “Scolpire la luce” (Gdhend dritën), në rrugën “Castagnola”, Xhixha ka prezantuar 4 instalacione të larta 3-4 metra, ku artisti durrsak shpërfaq atë që di të realizojë më mirë me artin e tij: Përthyerjen e dritës në çelik dhe reflektimin e saj në botën përreth.  

Në ekspozitën e tij më të fundit, Xhixha prezanton para artdashësve zvicerianë 4 skulptura parku, të cilat janë realizuar në mënyrë të atillë, që ndërthejnë në vetvete 3-4 vepra arti në secilin instalacion.

Kontrasti që krijojnë instalacionet e Xhixhës jo vetëm nga përthyerjet e dritës, por edhe nga ndërveprimi i ngjyrave me gjelbërimin apo arkitekturën e godinave përreth e bën artin e skulptorit durrsak edhe më tërheqës.

Aftësia e Xhixhës është të bëjë një element “të rëndë” si çeliku, të aftë për t’u tkurrur sipas dëshirës në një lojë ritmike të trupave të ngurtë dhe zbrazëtirave, të rendit dhe çrregullimit të arsyetuar. Me një vizion kryesisht abstrakt, skulpturat e Ilirjan Xhixhës bazohen në një marrëdhënie themelore me dritën, duke i rikthyer veprat e tij në dimensionin bashkëkohor”,- thotë ndër të tjera kuratori i ekspozitës, Eduardo Di Mauro, drejtor i Muzeut të Artit Urban në Torino.

Përthyerja e dritës është një element mjaft i rëndësishëm i veprave të artistit nga Durrësi dhe në secilin prej instalacioneve të përfshira në ekspozitë ajo realizohet më së miri, duke ofruar kontrastin e duhur me ambientin përreth.

Xhixha, firmën e të cilit mbajnë tre vepra të vendosura në sheshet më të rëndësishme publike të Durrësit (“Redoni”, “Kaligrafia e dritës” dhe “Frekuencë drite”), prej vitesh jeton dhe punon në Novara të Italisë.

I lindur në vitin 1964 në Durrës, Ilirjan Xhixha është pinjoll i një familjeje të përkushtuar ndaj artit.

Me babain Sali Xhixha, një nga emrat më të njohur të pikturës në Durrës, Ilirjani ka vijuar më së miri traditën familjare duke u bërë pjesë e ekspozitave personale dhe kolektive në qytetin e lindjes, por edhe në arenën ndërkombëtare.

M.B.