Zona historike e Durrësit ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e biznesit dhe turizmit. Projekti TID Durrësi, që Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim po financon pritet të nisë vitin e ardhshëm në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. TID Durrës që do të shtrihet përgjatë bulevardit “Epidamn” dhe gjithë zonës historike përfshin përmirësim të infrastrukturës dhe mbështetje për bizneset duke fuqizuar rolin e tyre në bashkëadministrimin e zonës.

Duke u nisur nga modelet e ngjashme, të cilat kanë rezultuar ndërhyrje të suksesshme në zonat urbane si Pazari i Ri i Tiranës, zona historike e Vlorës, pazari i Gjirokastrës, i Krujës, Korçës etj, AADF synon krijimin e një modeli BID në Durrës.

Për të mësuar më shumë mbi projektin, afatet e zbatimit të tij, fazat kur do të kryhen ndërhyrjet, si do të realizohet plani i prishjeve dhe restaurimeve të godinave në këtë zonë etj, “DurrësLajm” zhvilloi një intervistë me Bledi Hoxhën, menaxher projektesh për sipërmarrjen pranë AADF.

Tashmë ka përfunduar hartimi i projektit për ndërhyrje në infrastrukturë që përfshin ndërhyrje në godina, rrugë, sheshe, ndriçim, gjelbërim duke e vendosur zonën në funksion të turizmit dhe zhvillimit të bizneseve. Projekti pritet të kapë një vlerë mbi 10 milionë euro, ndërkohë që ndërhyrja planifikohet të realizohet në 5 faza gjatë të cilave do të preken rreth 200 godina.

Sipas disa zërave, projektii hartuar nga AADF ka pësuar disa ndryshime gjatë rrugës, duke përfshirë në procesin e shembjes disa godina që nuk ishin në fillim dhe duke hequr disa të tjera. Si i përgjigjeni ju?

Projekti TID Durrësi, i cili nuk është pjesë e Planit të Menaxhimit të Integruar të zonave arkeologjike A dhe B, përfshin ndërhyrje përmirësuese dhe restauruese në një zonë me sipërfaqe rreth 8ha. Si çdo projekt për ndërhyrje në infrastrukturë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, hartimi i projektit përfshin disa faza, duke filluar nga analiza e zonës, realizimi i projekt idesë deri në realizimin e projektit për zbatim. Gjatë këtyre fazave grupi i hartimit të projektit, që përbëhet nga arkitektë, inxhinierë, urbanistë dhe ekspertë të tjerë të fushës, konsultohen me palët e interesit përkatëse, autoritetet vendore dhe qendrore dhe optimizojnë projektin, duke adresuar këto kërkesa duke reflektuar vizionin zhvillimor të palëve të interesit kryesore vendasa. Në projektin TID Durresi reflektohen edhe vendimet e marra më herët nga autoritetet publike lidhur me zonën, si psh PDyV5, në mënyrë që të gjithë vendimet për transformimin e zonës të jenë të pasqyruara në projektin transformues të zonës.

Cilat kanë qenë kriteret që AADF ka përdorur për përcaktimin e godinave që do shemben dhe ato që do të restaurohen?

AADF nuk përcakton as godinat ku ndërhyhet, as tipologjinë e ndërhyrjes në to. AADF synon të fuqizojë zhvillimin e qendrueshëm të Durrësit dhe të përmiresojë aktivitetin ekonomik duke kombinuar rijetëzimin e zonave historike dhe arkeologjike me zbatimin e një modeli BID që sjell përfitime për bizneset dhe i jep atyre më shumë fuqi në bashkëadministrimin e zonës.

Si rrjedhojë, AADF ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë Durrës ku angazhohet të ndihmojë këtë të fundit për financimin e hartimit të një projekti për ndërhyrje në infrastrukturë. Nga një procedurë e përbashkët përzgjedhje ndërmjet AADF dhe dy institucioneve pjesë e memorandumit u përzgjodh një ekip me ekspertë vendas dhe të huaj për hartimin e projektit TID Durrësi. Ekipi i përzgjedhur në konsultim të ngushtë me autoritetet vendore dhe qendrore ka hartuar projektin, i cili reflekton vizionin dhe kërkesat e autoriteteve për ndërhyrje dhe është miratuar nga këto të fundit.

Ju e keni ndarë projektin në disa faza, duke e shtrirë përgjatë viteve. Meqë nëntoka e Durrësit është shumë e pasur a mendoni se zbulime që mund të dalin në dritë mund të sjellin ngadalësim të zbatimit të projektit? Nëse po, a do të krijonin ato vështirësi për AADF dhe si keni menduar t’i menaxhoni ato?

Për realizimin e një projekti të një natyre dhe rëndesie të tillë, nevojitet përfshirja dhe koordinimi i shumë autoriteteve, palëve të interesit dhe donatorëve. Ndarja me faza e kërkuar nga autoritetet ndihmon për koordinimin më të mirë të këtyre palëve për realizimin e projektit. Kompania apo kompanitë që do të zbatojnë projektin kanë detyrimin të zbatojnë me përpikmëri përcaktimet e legjislacionit në fuqi në çdo rast zbulimi, në koordinim me autoritetet respektive.

M.B.