Sezon të suksesshëm turistik e cilëson kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Alban Isteri, periudhën qershor – gusht, kur shifrat e turistëve dhe pushuesve përgjatë vijës bregdetare të Durrësit ishin të përafërta me ato të vitit 2019, i konsideruar më i suksesshmi për sektorin e turizmit. Fakti që në kufi nuk kishte asnjë pengesë apo masë kufizuese dhe të lodhur nga muajt e gjatë të pandemisë, pushuesit u dyndën në Durrës.

Isteri thotë se risi për këtë vit ishin pushuesit nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, të cilët mendohet se do të rikthehen edhe vitin e ardhshëm.

Sipas Isterit, bukuritë e vendit tonë dhe ofertat mjaft konkuruese krahasuar me vendet e rajonit, e kthyen këtë vit bregdetin shqiptar në një destinacion për turistët, qoftë ata elitarë, qoftë ata të turizmit masiv.

E ndërsa sezoni turistik po mbetet pas, shifrat në rritje të rasteve të prekura nga Covid-19 rrezikojnë rikthimin e masave kufizuese. Biznesi në këtë periudhë është në fazë rikuperimi, ndërsa ekonomia po rimëkëmbet me ritme të shpejta, duke dhënë sinjale shpresëdhënëse për muajt në vazhdim. Për Isterin, problematikë kryesore mbetet mungesa e forcës punëtore dhe sipas tij ajo nuk mund të zëvendësohet me punëtorë nga vendet e Azisë që e përdorin vendin tonë kryesisht si vend tranzit për të udhëtuar drejt BE-së.

Kreu i Dhomës së Tregtisë rekomandon politika favorizuese qeveritare për trajnimin e të rinjve shqiptarë dhe rritjen profesionale të tyre, si dhe nxitjen e punësimit si e vetmja zgjidhje për t’u garantuar bizneseve shqiptare staf të kualifikuar.

M.B.