Jahti luksoz Aviva, në pronësi të presidentit të klubit të futbollit Totenham, pritet të ankorohet në kalatat e portit të Durrësit ditën e premte.

Jahti Aviva, me gjatësi 98 metra, i prodhuar nga kompania Abeking & Rasmussen në vitin 2017, është në pronësi të biznesmenit britanik Joe Lewis, i njohur ndryshe si drejtuesi i klubit të njohur anglez Totenham.

Nuk dihet ende nëse në bordin e jahtit, në kohën e mbërritjes së tij në Durrës do të jetë edhe pronari i tij.

Në ndryshim nga viti 2019, që regjistroi numrin më të madh të krocerave, jahteve e velierave të ankoruara ndonjëherë në portin më të madh të vendit, viti 2020 dhe 2021 u shoqëruan me ulje të numrit të mjeteve luksoze që ankorohen në Durrës. Efektet e zgjatura të pandemisë Covid-19 u reflektuan edhe këtë sezon turistik në Durrës, ndërkohë që pritet që vera e vitit të ardhshëm të rrisë numrin e mjeteve luksoze lundruese që përfshijnë në itinerarin e tyre edhe qytetin bregdetar.