Jahti më i bukur i shpallur në vitin 2024, “Sarissa” ka ndaluar këtë të diel në portin e Durrësit.
“DurrësLajm” mëson se jahti luksoz erdhi nga Kana e Francës në portin më të madh të Shqipërisë për t’u furnizuar me 16 mijë litra karburant, teksa do të vijojë itinerarin drejt Dubrovnikut në Kroaci.
Jahti “Sarissa” është një jaht luksoz me vela i ndërtuar nga Royal Huisman në vitin 2023 dhe i projektuar nga Malcolm McKeon Yacht Design. Me dizajnin elegant dhe pamjen mahnitëse, jahti “Sarissa” fitoi një vit më parë çmimin “Jahti me vela i Vitit” në konkursin e Çmimeve Botërore të Superjahteve 2024.

Pronari i “Sarissa”-s është Lachlan Murdoch, një figurë e shquar në botën e jahteve, gjithashtu një figurë kyçe në industrinë globale të medias, duke shërbyer si Kryetar dhe Drejtor Ekzekutiv i Fox Corporation. Vlera e këtij superjahti është 25 milionë dollarë.