I lindur në Durrës dhe i diplomuar për Shkenca Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, Ardit Musaj është përfshirë në garën elektorale si kandidat për deputet i “Lëvizjes bashkë”.

Aktivizmi i tij ka nisur që në vitet e shkollës së lartë, kur u bë pjesë aktive e  “Lëvizjes për universitetin”, ndërkohë që vitet e fundit keqqeverisja e vendit ka qenë një shtysë më shumë për këtë të ri, të angazhohet politikisht.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, Musaj rrëfen se asnjëherë nuk ka aspiruar të atashohet pranë forumeve rinore të partive të mëdha, megjithëse ato mund të shërbenin më lehtë si një trampolinë për një angazhim permanent në politikë.   

I punësuar prej mëse 10 vitesh në sektorin privat të import-eksportit, ku ushtron funksionin e Menaxherit të Shitjeve në një nga kompanitë kryesore në Shqipëri, Ardit Musaj kërkon që përmes angazhimit politik të jetë një zë i fortë në Kuvend për të transformuar mënyrën si bëhet politika në Durrës e në Shqipëri.

“Duke parë problematikën që ka vendi ynë largimin e të rinjve, largimin e të gjithë potencialeve dhe forcës punëtore, por edhe situatën ekonomike në të cilën është vendi ne jemi një grupim të rinjsh, pensionistësh, një lëvizje e re shoqërore që përfaqëson qytetarët e margjinalizuar dhe të nëpërkëmbur të këtij vendi që duam t’i ofrojmë një shans të ri Shqipërisë”,– thotë ai.

Musaj beson fort tek programi elektoral me të cilin “Lëvizja bashkë” kërkon votën e qytetarëve durrsakë dhe atyre shqiptarë dhe e sheh atë si alternativa më e mirë që i ofrohet elektoratit, prandaj dhe fton votuesit që më 11 maj të hedhin votën e tyre për “Lëvizjen bashkë” dhe kandidatët e saj.

“Jemi e vetmja ofertë serioze politike e majtë në këto zgjedhje. Në fletën e votimit, të gjitha subjektet e tjera flasin kryesisht djathtas. Ne jemi i vetmi subjekt që flet për shtresat në nevojë, për minimumin jetik, për një turizëm të qëndrueshëm që është miqësor me ambientin. Turizmi në Durrës bazohet kryesisht në një strategji e vetme, unike, që është betonizimi dhe një strategji agresive me mjedisin.”,– thotë ndër të tjera kandidati Musaj gjatë intervistës, të cilën mund ta ndiqni të plotë në videon e mëposhtme.

M.B.