Festivali VIII i Kitarës (Guitar Festival) është përmbyllur bukur mbrëmjen e së premtes duke kurorëzuar fituesit e këtij edicioni, që tashmë është kthyer në traditë në qytetin e Durrësit.

Konkurentët garuan me pjesë instrumentale të muzikës klasike, baroke, moderne dhe kontemporane. 30 pjesëmarrësit në festival ishin nga shkolla artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës dhe Kongresi i Lushnjes, por edhe studentë të Akademisë së Arteve të Bukura Tiranë.

Kitaristi Gert Kurti ishte fituesi unanim i këtij edicioni të 8-të të festivalit. Prej 7 vitesh ai i është përkushtuar kursit të kitarës dhe më në fund arriti rezultate të shkëlqyera mes 30 pjesëmarrësve në garë.

Profesori i kitarës Dashamir Mehmeti, ideatori i këtij festivali u shpreh mjaft i kënaqur nga përgatitja artistike e konkurentëve, ndërkohë që ndryshe nga vitet e kaluara këtë herë juria shpërndau 3 çmime të para në kategori të ndryshme, 3 çmime të dyta dhe 3 çmime të treta, si dhe një çmim publiku.

Kitaristi Eqerem Cara, fitues i çmimit “Junior” dhe një nga konkurentët me moshën më të vogël, u shpreh shumë i lumtur për këtë arritje, pasi për herë të parë vlerësohet me një titull të tillë.