Ka dalë sot para gjykatës së Durrësit, Denis Doda, administratori i kompanisë “Fish Co Tirana”, në kontenierin e së cilës u kap 7 kg kokainë të premten e kaluar.

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Dodën, i cili para trupës gjykuese ka mohur të ketë dijeni apo të jetë i përfshirë në trafikun e drogës.

Më 6 gusht, Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit evidentuan dhe goditën një tjetër rast të tentativës së trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të operacionit “Urbanor”.

Kështu, gjatë kontrollit në një kontenier të ngarkuar me prodhime deti që ishte nisur nga Ekuadori për llogari të firmës “Fish Co Tirana”, me qendër në Tiranë, në pjesën e kapakëve të ventilimit u gjetën pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë rreth 7 kg dhe një GPS, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.