Në një manastir në malet e Ballkanit janë strehuar disa pacientë të harruar nga bota e përtejme. Vizita e një doktori që vjen të inspektojë këtë spital ‘të marrësh’ për t’i rikthyer përsëri në normalitet, bën që ngjarjet të marrin tjetër kthesë aq sa mjeku fillon të vërë në mëdyshje vetë ekzistencën e tij duke u bërë pjesë e kësaj çmendurie.

Bëhet fjalë për pjesën teatrore “Koloneli Zog” që prej dy netësh po vihet me sukses në skenë në teatrin e Durrësit.

Një trupë e përzgjedhur aktorësh mes të cilëve Florian Agalliu, Roerd Toçe, Franc Bregu etj nën regjinë e Xhuliano Briskut sjellin në skenë një satirë të epokës në të cilën jetojmë, të kontradiktave të thella të popujve të gadishullit të Ballkanit, që aspirojnë anëtarësimin në Evropë dhe OKB.

Koloneli dhe doktori pas shumë perpjekjesh arrijnë ta kthejnë në normalitet këtë manastir të marrësh, por ëndrrat e tyre nuk mbarojnë me kaq.

Idealet për t’iu bashkuar një bote të mbrojtur dhe të civilizuar, do bëjnë që ata të ndërmarrin një udhëtim të gjatë drejt Strasburgut, për t’u anëtarësuar në OKB.

‘Koloneli Zog” do të vijojë të shfaqet edhe 3 netë të tjera (e premte, e shtunë, e diel) në teatrin e Durrësit, në orën 19.00.

M.B.