Komedia “A flasim për burrat?” korri sukses në Durrës, në dy netët e para të vënies në skenë.

Aktoret Rozana Radi, Lola Meta dhe Blerta Belliu argëtuan publikun me situatat plot humor dhe ndërveprimin në sallë.

Andeta Radi u rikthye si regjisore me komedinë e autores italiane Sara Bogatti pas një mungese të gjatë.

“Situatat që krijon komedia nuk është se sjellin ndonjë gjë të re. Ato sjellin momente të caktuara nga jeta e shumicës së femrave në Shqipëri. Është e njëjta histori që përsëritet, qoftë në vendin tonë, qoftë në Itali nga vjen edhe pjesa e autores italiane Sara Bogatti. Pra problemet e femrave janë njësoj në të gjithë botën. Nuk ka risi në mënyrën e të dashuruarit të një femre, nuk ka risi në mënyrën e të qarit të një femre, nuk ka risi sesa shpesh ato bëhen të forta, por ndoshta derdhin lot më pas”,– tha Radi për “DurrësLajm”.

Një shfaqje argëtuese ku pavarësisht se meshkujt nuk janë të pranishëm fizikisht, ata janë aty në çdo situatë, pasi dhe çdo bisedë sillet rreth tyre, fuqisë mashkullore dhe gjetjes së burrit ideal.

Komedia “A flasim për burrat” do të shfaqet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës edhe dy ditë të tjera gjatë fundjavës, të shtunën dhe të dielën.