Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist i Durrësit Arkend Balla iu përgjigj deklarimeve të bëra më herët në Kuvend nga deputeti demokrat Arjan Ndoja, lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Balla e nisi fjalën duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe duke uruar shërim për të lënduarin që ndodhet ende nën kujdes mjekësor në Spitalin e Traumës.
Më pas, ai reagoi ndaj pretendimeve të ngritura në seancë plenare se drejtuesi i automjetit të përfshirë në aksident ishte strehuar në një strukturë elektorale të Partisë Socialiste.
Sipas Ballës, këto deklarime nuk qëndrojnë dhe nuk kanë asnjë bazë faktike. Ai tha se personi në fjalë nuk ka lidhje me strukturat politike të zonës apo me ndonjë aktivitet elektoral të PS-së, duke i cilësuar këto lidhje si të pavërteta.
Balla theksoi se ngjarja duhet trajtuar me përgjegjësi dhe se institucionet përkatëse janë duke ndjekur procedurat ligjore për zbardhjen e plotë të saj.
Ai bëri gjithashtu thirrje që aktorët politikë të mos përdorin tragjedi të tilla për akuza të pambështetura, por të fokusohen te drejtësia dhe hetimi i plotë i rastit.





