Kompleksi Portual Durrës – Porto Romano përgjatë vitit që lamë pas ka regjistruar një rritje të konsiderueshme me rreth 15% ose rreth 933 mijë tonë mallra më shumë sesa viti 2023.
Sipas statistikave zyrtare të Autoritetit Portual, gjatë vitit 2024, në gjashtë terminalet e kompleksit portual u përpunuan 7 milionë e 352 mijë tonë mallra.
Importet vijojnë të zënë volumin më të madh të mallrave të përpunuara në kalata me rreth 6 milionë tonë, ndërsa vetëm 1,3 milionë tonë mallra u eksportuan nga vendi ynë drejt porteve të vendeve të tjera.
E shprehur në përqindje, mallrat e importuara në rrugë detare u rritën me rreth 19%, krahasuar me vitin 2023.
Edhe njësitë konteinerike të përpunuara në portin e Durrësit, u rriten me 7%, ku në total gjatë vitit 2024 në Terminalin e Konteinerëve janë përpunuar 196,507 njësi konteinerike.
“Kjo rritje konsistente në volumeve tregtare në të dy portet e Durrësit konfirmon rëndësinë e kompleksit portual Durrës-Porto Romano në transportin detar dhe ekonominë vendase si dhe lidhjen e rëndësishme rajonale e më gjerë”,- bën të ditur Autoriteti Portual.
M.B.