Nga Gëzim Kabashi

Artistët e Bienales “Netët e Muzikës Klasike” si në çdo edicion edhe këtë herë kanë interpretuar në institucione, ku qëndrojnë njerëz në nevojë.

Ndërsa më parë nuk kanë munguar koncertet në spitale, në Shtëpinë e lindjes apo në Shtëpinë e foshnjes, dje pasdite violinisti Florian Vlashi ka ndaluar në Institutin e të Miturve në Kavajë si dhe në Shtëpinë e të Moshuarve në të njejtin qytet.

“Na pritën me shumë dashuri – tregon pak orë pas koncertit Floriani, dhe herë pas herë dëshironin të dëgjonin edhe pjesë që i njihnin më mirë”.

Në faqen Fcb të Shtëpisë dikush ka shkruar me shumë respekt për artistët:

“Mirëpritëm sot në ambjentet e Shtëpisë tē Moshuarve “Sefer Dervishi”, violinistin z. Florian Vlashi së bashku me djalin e tij Martin, tē cilët kanë ardhur nga Spanja pêr të performuar muzike klasike pêr te moshuarit tanë. Gracias Amigos!” – shkruhet në spanjisht, duke kujtuar edhe vendin ku jeton e punon familja Vlashi, që nga viti 1992.

“Kemi realizuar më shumë se 10 koncerte në këto institucione gjatë edicioneve të fundit, – tregon Floriani, por më shumë përshtypje të rinjve, djalit të madh Danielit në edicionet e kaluara, si dhe Martinit, në koncertin e djeshëm, përshtypje na bën vizita dhe koncerti në Institutin e të Miturve”.

Edukimi jo vetëm i të rinjve që dëgjojnë, por edhe i vizitorëve dhe artistëve të rinj është një nga qëllimet e koncerteve që Bienale “Netët e Muzikës Klasike” i ka vënë vehtes.

Në mbrëmje vonë, artistët e Bienales si dhe miq të muzikës u mblodhën në kopshtin e shtëpisë 178-vjeçare të Alma e Zef Tedeschinit në lagjen historike të qytetit.

“Ky gjelbërim bën pjesë në temën e këtij edicioni “Në kopshtet sekrete të Muzikës dhe Pikturës”. Koncerti është një homazh respekti për ata që e ruajnë këtë banesë, si një thesar në mes të qytetit” – tha Florian Vlashi.