Koncerti instrumental “Impuls” ngjiti në skenë Orkestrën Frymore të Durrësit, të shoqëruar edhe nga instrumentistë të Orkestrës së Shkollës Artistike “Jan Kukuzeli”.

Një miksim i bukur mes instrumentistëve profesionistë dhe të rinjve që aspirojnë t’u marrin stafetën në të ardhmen, por njëkohësisht një miksim repertori ku pjesët e kompozitorëve të famshëm botërorë ndërthureshin bukur me disa nga veprat e emrave më të njohur të muzikës shqiptare.

Në programin artistik ishin përfshirë vepra të autorëve Verdi, Strauss, Shostakovich, Dungu, etj.

Për mësuesen e kantos dhe sopranon Ilsid Çullhaj kjo ishte hera e parë që ngjitej në skenë së bashku me orkestrën frymore. Si para çdo koncerti, emocionet ishin të shumta, por përzgjedhja e kujdesshme e repertorit solistik e bënte më të lehtë për spektatorin që të mirëpriste interpretimin.

Ky është koncerti i dytë për këtë vit për Orkestrën Frymore, ndërkohë që në programin artistik vjetor janë parashikuar edhe 4 koncerte të tjera.

M.B.