Mëngjesin e kësaj të mërkure erdhi për herë të parë në portin e Durrësit kroçera “National Geographic Orion”. Me 108 turistë amerikanë në bord dhe rreth 70 anëtarë ekuipazhi, kjo anije e specializuar për udhëtime eksploruese dhe përvojash unike po kryen një tur një javor përgjatë bregdetit duke nisur nga Greqia deri në Kroaci.

Në bordin e anijes u zhvillua ceremonia “Maiden call”, ku morën pjesë kapiteni i portit Tauland Allka, dhe kapiteni i anijes Alex Dudov. Ceremonia në fjalë organizohet në të gjitha rastet kur një kroçerë apo traget viziton për herë të parë portin më të madh në vend.

Kjo linjë e re turistike i shtohet hartës së destinacioneve, që vizitojnë qytetin bregdetar dhe shënon një hap të rëndësishëm për promovimin e Durrësit si destinacion i turizmit elitar dhe kulturor.

“Sot kemi mirëpritur kroçerën “National Geographic Orion” , e cila vjen për herë të parë në portin e Durrësit. Sapo mbërriti këtu nga Saranda. Është një kompani kroçere e specializuar për turizmin e aventurës dhe ekspeditave. Është hera e parë që viziton brigjet e Shqipërisë”,– deklaroi kapiteni i portit të Durrësit.

Ndërsa kapiteni i kroçerës “Orion”, Alex Dudov u shpreh: “Jeni një vend special në detin Adriatik dhe Jon. Po udhëtojmë në Greqi, Shqipëri, Malin e Zi dhe Kroaci. Gjithnjë mundohemi t’u hapim sytë të ftuarve tanë dhe t’u tregojmë Shqipërinë e vërtetë. Do të rikthehemi sërish këtu dhe mendoj se sa më shumë t’u zbulojmë nga vendi juaj, aq më shumë të tjerë vizitorë do të duan të shohin Shqipërinë dhe Durrësin”.

Më pas mediat u ftuan të zhvillonin një tur në ambientet e kroçerës, e cila planifikon që gjatë këtij viti të prekë edhe 5 herë të tjera portet shqiptare të Sarandës dhe Durrësit.

Udhëtimi në bordin e “National Geographic Orion”. nëpër portet e vendeve ballkanike ka për synim të ofrojë një tur në zemër të thesareve arkeologjike dhe siteve interesante të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, nga Delfi në Dubrovnik, si dhe gjurmët e antikitetit në Shqipëri.

M.B.