463 turistë të huaj, nga të cilët 435 gjermanë prekën sot tokën shqiptare.
Në bordin e anijes krocerë “MV Deutschland”, ata mbërritën mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit për të nisur më pas udhëtimin e tyre në qytetin 3000-vjeçar, por edhe qytete të tjera të rëndësishme përsa i përket trashëgimisë kulturore si Kruja, Berati, Tirana etj.
Për ta, kjo është hera e parë që ndodhen në vendin e shqiponjave, por nuk do të jetë e fundit.
“Është hera ime e parë në Shqipëri. Do të vizitoj Beratin sot”.
“Po flas sinqerisht, nuk kam shumë informacion për Shqipërinë. Di që është një destinacion turistik dhe se shumë turistë po vijnë për të parë natyrën e bukur”.
“Besoj se shumë nga turistët e njohin Shqipërinë. Disa kanë qenë më parë këtu, të tjerë po vijnë për herë të parë. Janë rreth 450 pasagjerë në krocerë dhe shumica e tyre do të marrin pjesë në turin një ditor në Shqipëri.
“Është hera ime e parë këtu dhe kam marrë informacion nga Google për vendin tuaj. Sot jam vetëm për një ditë këtu, por dua ta vizitoj Shqipërinë me miqtë e mi një herë tjetër, sepse nuk kam qenë asnjëherë më parë në vendet ballkanike”.
Shqipëria është një destinacion turistik, që është zbuluar nga gjermanët vetëm vitet e fundit, por përshtypjet e tyre janë të mira për vendin tonë, na tregon Armela Memaj, që punon prej vitesh si guidë turistike. Turistët preferojnë të rikthehen për një tur më të gjatë.
“Shumica e tyre vijnë për herë të parë. Është një destinacion tërësisht i ri për ta. Janë shumë kuriozë për ta njohur Shqipërinë, pasi kanë pak informacion përsa i përket pozicionit gjeografik të saj, zhvillimit etj dhe dëgjojnë me shumë kërshëri historinë dhe feedback-u që ne marrim prej tyre kur largohen është shumë pozitiv. Për këta që janë turistë një ditorë , ky është një hap i parë, që të rikthehen në një tur më të gjatë”.
E ndërsa Shqipëria është reklamuar në mediat botërore si një destinacion mesdhetar që nuk duhet lënë pa vizituar, ka ende punë për të bërë për të plotësuar të gjitha standartet për të garantuar turizëm të qëndrueshëm.
“Pjesa negative që ata e theksojnë është trafiku dhe mënyra sesi ne shqiptarët ia dalim që të “çajmë” trafikun e përditshëm. Përveç kësaj nuk ka asgjë tjetër negative”,- thotë Memaj.
Kroçera ka mbërritur në Durrës pas një lundrimi nga Porti i Vathit në Greqi dhe do të vijojë më tej itinerarin e saj drejt Kotorrit, në Malin e Zi.
M.B.