“Toleranca do të jetë zero!”, kështu paralajmëroi ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë një monitorimi të pastrimit të vijës bregdetare në Durrës.
E shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Emiriana Sako, Kumbaro tha se ky muaj po paraqet mjaft problematika, megjithatë po bëhet një punë e madhe qoftë për sistemimin e plazheve publike, mjedisin e pastër apo mirëmbajtjen e rrugëve.
“Vëzhgimi me mjetet e policisë kufitare është i domosdoshëm për të shpëtuar jetë dhe sidomos kontrollin e mjeteve të paligjshme, që janë skafet, Jet Ski-të, që duhet të kontrollohen vazhdimisht. Ka filluar puna për plazhet e pastra, e shtrirë në të gjithë bregdetin. Nga Velipoja në Ksamil, janë dyfishuar forcat, njerëzit, koshat”, tha ministrja.
Ndërsa Sako u shpreh se ekipet në varësi të bashkisë së Durrësit punojnë gjatë gjithë ditës dhe natës për të pastruar qytetin dhe zonën bregdetare, për të larë rrugët si dhe për të zbrazur e dezinfektuar konteinerët e mbeturinave.
“Ne punojmë çdo ditë për të siguruar një sezon të mbarë e të qetë, me një kujtesë për subjektet që operojnë si stacione plazhi të zbatojnë me përpikmëri kushtet e sigurisë dhe higjienës. Ftojmë edhe qytetarët që frekuentojnë plazhet e hapësirat publike të jenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm me menaxhimin e mbetjeve”, u shpreh Sako.