Memorandumi i Parisit (një mekanizëm që kryen inspektimet mbi standardet e anijeve në Evropë) e ka renditur Shqipërinë sërish, për të pestin vit radhazi në listën e vendeve me “flamur të zi”. Kjo nënkupton që anijet me flamur shqiptar janë shumë të monitoruara në portet evropiane.

Në listën e këtij viti, Shqipëria renditet përkrah vendeve si Moldavia dhe Togo. Të tre këto vende konsiderohen me rrezik mesatar-të lartë nga Memorandumi i Parisit.

Renditja në listë është bazuar në numrin e përgjithshëm të inspektimeve gjatë një periudhe 3-vjeçare (2019-2021). 

Në deklaratën zyrtare Memorandumi njoftoi se 68 vende u ndanë në tre lista, të bardhë, gri dhe të zezë, sipas standardeve të shërbimit dhe sigurisë.

Listat e “Bardhë, Gri dhe Zezë” paraqesin spektrin e plotë, nga flamuj të cilësisë të lartë deri te flamuj me një performancë të dobët, që konsiderohen me rrezik të lartë ose shumë të lartë.

Renditja në listë bazohet në numrin e përgjithshëm të inspektimeve gjatë një periudhe 3-vjeçare.

Respektivisht, 40 flamuj u përfshinë në “Listën e Bardhë”, 21 në “Listën Gri” dhe 7 në “Listën e Zezë”.

Në vitin 2020, numri i përgjithshëm i shteteve në listë ishte 70, nga të cilat 39 në “Listën e Bardhë”, 22 në “Listën Gri” dhe 9 në “Listën e Zezë”.

Një vit më parë, Shqipëria  u rendit në vendin e 70-të, në fund të listës së zezë, i krahasueshëm vetëm me disa vende afrikane.

Çfarë është Memorandumi i Parisit?

Memorandumi i Parisit ushtron një regjim inspektimi për anijet e regjistruara në porte, përveç atyre me atyre që i përkasin vendit ku është porti, me qëllim që të merren masa kundër anijeve që nuk janë në përputhje me rregullat dhe sigurinë. Inspektorët quhen oficerë dhe u kërkohet të hetojnë pajtueshmërinë me kërkesat e konventave ndërkombëtare. Inspektimet  përfshijnë kontrollimin e anijes dhe personelit nëse janë  me ligjet ndërkombëtare në fuqi, aftësitë e drejtuesve dhe pajisjet e anijes.

Në vitin 1978, një numër vendesh evropiane ranë dakord në Hagë për një memorandum për auditimin e kushteve të punës në bordin e anijeve nëse ato ishin në përputhje me rregullat ndërkombëtare.

“Lista e Bardhë” përfaqëson anije me flamuj cilësorë me performancë të lartë. Flamujt me një performancë mesatare tregohen në “Listën Gri”, që mund të shërbejë si një nxitje për t`u përmirësuar dhe kaluar në “Listën e Bardhë”. Në të njëjtën kohë flamujt në skajin e poshtëm të “Listës Gri” duhet të jenë të kujdesshëm duke mos lënë pas dore kontrollin mbi të anijet e tyre sepse rrezikojnë të përfundojnë në “Listën e Zezë” vitin e ardhshëm.