Artan Kacani, kandidat për deputet në Durrës nga partia “Lëvizja Bashkë”, ka reaguar ashpër ndaj fushatës të mbajtur këtë të hënë në qytet, ku sipas tij, fëmijët janë përdorur në funksion të propagandës qeveritare.

Në një deklaratë publike, Kacani u shpreh:

“Nga qeveria Rama janë thirrur qindra fëmijë për t’ju bashkuar këtij sistemi arsimor të fëlliqur në dobi të propagandës. Kjo nuk i shërben as dijes dhe as edukimit.”

Ai thekson se fëmijët, të cilët kishin një ditë pushimi nga shkolla, janë nxjerrë në sheshin “Liria” në një veprim që, sipas tij, synon të krijojë një fasadë pozitive për qeverinë, duke përfshirë në mënyrë të papërshtatshme të miturit në aktivitete politike.

Kacani bën thirrje që arsimi të mbetet i pavarur nga veprimet propagandistike dhe që fëmijët të mos shfrytëzohen për interesa politike.