Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

Sado të punoj dhe t’ia shtoj barrën e ngarkesës vetes, zor se do të më dalë jeta për të shkruajtur për të gjithë atë trashigimi, që kemi në zemër të qytetarisë durrsake tashmë të afirmuar. Shembujt janë si një mal i lartë dhe ngjitjet alpinistike të lapsit tim, s’do të mund t’i ofrohen. Kemi shkruajtur jo pak, por janë të pamjaftueshme kundrejt asaj që na mbetet për të bërë. Jemi një brez që justifikojmë që në të gjallët tonë, mirnjohjen, respektin ndaj atij brezi tjetër, që u çfaq me një idealizëm të rrallë. Ndoshta me pa të drejtë, na është bërë rutinë shprehja:”Dhanë shumë dhe nuk morën asgjë”.

Mbetem i pozicionuar deri në bindje, se puna e mirë e bërë nga cilitdo, qëllimi i mirë i bërë nga secili dhe aq më shumë me ndërgjegje dhe përkushtim, nuk ka sesi të shkoj dëm. Populli ka sy dhe veshë. Populli ka memorie dhe sensi i mosharresës është për fat të mirë i zhvilluar. Kështu ndodh edhe në rastin e portretit që guxova ta qesëndis. Sado të kulloj në zanat, jam i palëvizuar në gjykim se, nuk mund të çfaq plotësisht atë që bëri ky burrë i madh, ky njeri i zgjedhur si me dorë, ky fenomen që shoqëria e jonë nuk i çfaq shpesh. Në një gjë justifikohem: të paktën po shkruaj për të, po i kushtohem atij, ndonëse do të krijoj atë defiçit në plotësimin e asaj që meriton, pasi kjo nuk mund të ndodhë nga asnjë prej kolegëve të mi.

Sulejman Gallaj! Famë e madhe jo vetëm në Durrës dhe rrethinat e tij, por në mbarë vëndin. Ndonëse ka lindur në komunitetin bosnjak të Koxhasit – Shijak me 19 janar 1919, nuk mund ta ndash nga mburrja e qytetarisë durrsake, të cilës iu përkushtua derisa sosi frymën. Ky ishte tamam një “Sulejman i madhërishëm”. Kur është larguar nga jeta, me 24 shkurt 1979, kam qenë 28 vjeçar. 

Por kisha arritur të prekja famën dhe lavdinë e këtij burri të veçantë, që mbarë një popull për atë që ai bëri, për atë që ai ishte, për atë sakrificë që ndërtoi në shërbim ndaj njerëzve, meritoi titullin mbi titujt “BABË”. Ai ishte “Heri i Punës Socialiste”. Me 18 nëntor 2011 u bë edhe “Nderi i Qytetit të Durrësit”. Por titullin “BABË”, nuk e merr cilido. Është Babë Sula dhe një Babë Ceni. Që të dy nga Shijaku. Dhe që Këshilli Bashkiak me emrin popull, me vendim në emrin e të gjithëve, u dha titullin e përjetshëm “BABË”. 

Kam shkruajtur për Babë Cenin dhe ky Sulejman Gallaj, është babai i dytë i publiçistikës time. Sa fat dhe sa nder! Sa mrekulli dhe privilegj! Po i dal vetë përpara një paragjykimi që mund të krijohet, me dashje apo pa dashje. Babë Sulën nuk e bëri sistemi. Babë Sulës filloi ti thërriste babë edhe nomeklatura, pasi nuk mund ti bënin karshillëk një populli për bindjen e tij, për titullin e dhënë pa vendim, e pa presidiume. 

Nuk mund t’i shërbente sistemit, por veç popullit një njeri që dilte nga shtëpia që me natë dhe rikthehej në derën që doli pasmesnate. Nuk mund t’i shërbente sistemit një njeri, që vinte veshin tek rrënja e bimës, për të ndjerë frymëmarrjen e saj. Dhe kështu me rradhë kur prekte pemëtarinë, vreshtarinë, serat dhe perimet në fushë, ushqimet për bagëtinë, për shtimin e qumështit, për mbjelljen dhe korrjen e grurit, të misrit, të foragjereve, të…., të….. 

Dhe punët ishin në pambarim. Aty ku ky “Sulejman i Madhërishëm” shkonte dhe kujdesej, prekte edhe hallet e panumurta të njerëzve në komunitetet bujqësore ku punonte, e veçanërisht në NB-në e Sukthit dhe deri në Ishëm. Populli rriti besimin dhe ia qante hallin si fëmija babait. Prandaj epiteti magjik që i vendosën “Babë”, ishte meritë e punës që ai bënte, i halleve që ai ndiqte, i besimit që ai kishte krijuar.

Nga 210 fotografi që kalova në duar dhe në mëndje, zgjodha disa prej tyre. Foto që vijnë era punë, që vijnë era djersë, që flasin për miqësi dhe shoqëri të sinqertë, që tregojnë nyjen që ishte bërë Sul Gallaj me njerëzit. Ka edhe me njerëz të nomeklaturës. Më shumë kishin  domosdomëri ato për të dalë me “Babën” se sa Sula. Vështroj disa foto dhe kaloj brenda tyre. Shikoni se çfarë ndodh? Burri me karakter të fortë, i papërkulur, i ndërtuar themelet mbi djersën e tij, kishte shok dhe miq njerëz të po kësaj natyre. Jo rastësisht publikojmë një pjesë të fotove, ku ai ka dalë me shokë të besës dhe burra të fortë si Iliaz Reka, Marko Karoli, Feruz Mataj, Nikolin Xhoja, Xhafer Qesja, Petraq Tapia, Shefki Hoxha, Sabri Cevani, Kili Naçi, Kleanthi Stefani, Haxhi Çullhaj, Ibrahim Kryeziu, Jetgjat Toda, Isa Shtraza, Rrap Muka, Sami Dalipi etj.

Këto foto janë të mjafta për të prekur sadopak, kujtimet, sentimentet, mallin e pashuar për një burrë siç thuhet në kësi rastesh 24 karatësh, me emrin që peshon shumë edhe pse kanë kaluar 42 vite nga largimi i tij nga jeta Sulejman Gallaj. Çdo foto është një kujtim, një mbajtje fryme, një hap në kilometrat e rrugës që përshkoi jeta e tij, e cila e pati një fillim 19 janarin e vitit 1919 dhe gjithashtu si histori njerëzore, e pati edhe një fund 24 shkurtin e vitit 1979. 

Kohëzgjatja e kësaj jete ishte 60 vite e 35 ditë. Por a mundet ndokush që e ka njohur Sulejman Gallajin, që e ka takuar qoftë edhe pak minuta, që ka dëgjuar të flitet për të, e jo më të ketë patur fatin ta ketë patur baba, gjysh, vëlla e të afërm, mik, shok, koleg, bashkëpunëtor, drejtues, etj. etj. ti shkoj ndërmënd se ai ka plot 42 vite që është fikur fizikisht? Sigurisht që jo. E gjalla e tij është më e fortë, është më mbijetuese. Është e përjetshme. 

E nisi jetën me shumë halle. Ai u lind në Shijak në zonën e njohur të bosnjakëve, apo muhaxhirëve që kishin lënë trojet e tyre, për kushte më të mira jetese në Shqipëri. Dhe ky komunitet ka nxjerrë shumë burra të mënçur dhe me mjekër siç i etiketon urtësia popullore dhe një ndër ta mbetet në jetë të jetëve edhe Sulejman Gallaj, apo Sula ynë i paharruar. Sula ishte vetëm 7 vjeç, kur i jati Muharremi u largua nga kjo botë dhe e motra Sadetja katër vjet më e vogël nga i vëllai. Pa mbushur të 16 -tat, diku nga viti 1935 zgjedh profesionin e kinooperatorit në kinema Gloria, që në italisht do të thotë lavdi. 

Dhe lavdi u përpoq t’u sillte njerëzve Sulejman Gallaj, të cilët nuk e harrojnë atë duke e vendosur në arkivin e historisë  së qytetit të Durrësit. Edhe në fotot që çfaqim, Sulejman Gallaj ka dalur i qeshur. E qeshura e tij buronte nga shpirti i gjërë, nga një zemër që  është më e madhe se trupi, pasi ai donte gjithçka që lidhej me të. Sulejman Gallaj njihet me shumë të rinj aktivistë për luftën ndaj pushtuesve të vëndit. Lufton me armë në dorë në organizimet e luftëtarëve në zonën e Durrësit. Arrestohet, burgoset, i digjet plaçka dhe katandia dhe vendosmëria për të plotësuar idealet më të mira njerëzore, vazhdon edhe pas çlirimit të vëndit. 

Pa mbushur të 30-tat zgjidhet komandant i hekurudhës së parë Durrës – Tiranë. Dhe ndërsa ndërtoheshin kilometrat e para të artiereve të transportit hekurudhor, Sulejman Gallaj filloi të ndërtoj kilometrat e para të marrdhënieve me njerëzit, të dashurisë dhe respektit të pa cak që tregonte ndaj tyre dhe këtë e mbajti si një nga armët më të forta. Ngarkesa e punëve sa vinte e shtohej. 

Përgjegjësi të mëdha po merrte ky burrë i nderuar, i cili sa më shumë ngjitej në ngarkesat e punëve, aq më shumë zbriste atje poshtë në prodhim ku punonin njerëzit e thjeshtë, njerëzit me halle, njerëzit që kërkonin të rritnin fëmijë me ëndërra për jetën, për më mirë, për më bukur. Dhe ata në një gjë ishin shumë të sigurtë, se llogarisnin si të tyre një njeri, një emër, një zemër dhe një shpirt. Dhe ky ishte Sulejman Gallaj. 

Sulejman Gallaj nuk ishte vetëm babai i një djali dhe tre vajzave, por i të gjithë zonave ku punoi dhe jetoi, ku u ul dhe kuvendoi me njerëzit, punëtorin e thjeshtë dhe nuk i la kurrë vetëm ata. Dhe tamam si një prind i mirë, si një baba i dhëmbshur, ai meritoi dhe kurrë nuk e shpërdoroi besimin e tyre deri në fund. Sulejman Gallaj në se e zbërthen me imtësi jetën e tij, më shumë ka qendruar në punë, pranë bujkut të thjeshtë, blektorit, zooteknikut, veterinerit, punonjësit dhe specialistit të serrave, mekanikut dhe mekanizatorit, llogaritarit dhe ekonomistit, brigadierit dhe përgjegjësit të sektorit dhe lista do të ishte pambarim, se sa pranë familjes. 

Dhe kurrë nuk tha u lodha dhe kurrë nuk përtoi së foluri dhe biseduari me njerëzit dhe kurrë nuk u mërzit njëherë ndaj halleve dhe problemeve të tyre. Asnjë nuk mund të kujtoj qoftë edhe një episod të thjeshtë, ku Sulejman Gallaj t’ua ketë thyer zemrën, ndonëse zemra e tij po ngarkohej e ngarkohej me halle dhe probleme të natyrave të ndryshme.

Me aftësitë dhe erudicionin e tij, ai ishte bërë një kuadër i domosdoshëm për të udhëhequr ekonomitë bujqësore nga Ishmi, e deri në Kryevidh dy skajet më të largëta të rrethit të Durrësit. Nuk ka pëllëmbë tokë bujqësore që të mos ketë prekur këmba e Sulejman Gallajit. Nuk ka rrënjë bime e kulture bujqësore, që të mos e ketë prekur syri dhe dora e Sulejman Gallajit. Nuk ka shpirt dhe zemër njeriu, që të mos i jetë ulur këmbëkryq fjala dhe këshillat e Sulejman Gallajit. 

Prandaj edhe këtij burri të mënçur, populli ia vuri epitetin e pavdekshëm BABË. Politika më e madhe e Sulejman Gallajit ishte kujdesi ndaj njerëzve, ndonëse për ta disa herë është vënë edhe në vështirësi. Sul Gallaji ishte nga ata burra që nuk e njihte servilizmin, të shikonte drejt e në sy. Nuk ishte mësuar të ishte shërbëtor i askujt, por veçse i detyrimeve dhe shërbimeve ndaj njerëzve. Ai udhëhoqi punën e jashtëzakonshme për zhvillimin e bujqësisë, për një situatë agrare në përparim dhe njerëzit i shkuan gjithnjë pas babës së tyre, sepse e dinin që me mënçurinë dhe dijet e tij nuk gabonte. 

Ndonëse në kushtet e një situate delikate, ku politikë krijonte viktimat e saj Sul Gallaj dinte të anashkalonte këtë dhe kurrë të mos bënte kompromis me hallet dhe dertet e njerëzve. Po të kalosh sot në Sukth edhe muret, edhe gurët, edhe toka, edhe banesat pa lë më njerëzit, duket se të gjithë janë vendosur në një rresht, në një linjë sikur të thonë: Burra si Sulejman Gallaj zor se mund të ketë patur dhe mund t’i vijnë kësaj zone. Kështu thotë edhe durrsaku, edhe ishmaku, edhe kryevidhasi, edhe bosnjakët e tij të cilët kurrë nuk i harroi dhe i qendronte pranë, ndonëse shikoheshin me dyshim si një pakicë jugosllave. 

Sul Gallaj jetoi në fshat, i shërbeu fshatit, punoi për zhvillimin e tij, po gjente kohë të bashkëpunonte, të qëndronte pranë miqve të tij të zemrës, që nuk mund të kalonte ditën pa e pirë një kafe buzë një rruge apo ku të mundej. 

Duhet nënvizuar një fakt domethënës. Sul Gallaj ishte kuadër i rëndësishëm. U shpall edhe “Hero i Punës Socialiste”. Ishte deputet në katër legjislatura. Po asnjërit të mos i shkoj ndërmënd se, Sul Gallaj i kërkoi këto për lavdi, mburrje e dëshira personale. 

Shumica kishte nevojë për mënçurinë e Sulës, për aftësitë e tij të rralla, për mrekullinë e lidhjeve të tij me njerëzit, për ta marrë si shembullin e asaj që kërkohej. Pavarësisht se koha ishte, që gjërat i mbulonte me jorganin e arnuar të politikës, por Sul Gallajit nuk i nevojitej kjo, sepse që në fëmijërinë e varfër dhe jetën e vështirë, ishte mbuluar dhe mëkuar me jorganin e fukarasë, të popullit të tij që ai e deshi dhe iu përkushtua aq shumë. Fotot kalojnë njëra pas tjetrës dhe secila prej tyre e ka komentin brenda. Por të gjithë që e njohin dhe kanë dëgjuar për Sulejman Gallajin bashkohen në një pikë: djalë i denjë i tyre, baba i përjetshëm i tyre. 

Sulejman Gallaj ishte i lindur dhe i taksur nga zoti për të qenë i ëmbël si mjalti, me një zemër mbushur me florinjtë e dinjitetit dhe fisnikërisë së tij. Teksa ndodhej në Ishëm për të ndjekur punët e rënda që i ishin ngarkuar, goditet nga një infarkt i miokardit. Dhe shpëton për mrekulli. Punët dhe hallet shtoheshin për ditë. Ai nuk i ndante kurrë ato, në halle të tija dhe halle të të tjerëve. Fjala e tij kishte peshë, peshë shumë të rëndë. Është thërritur për një zgjidhje hasmërie në zonën e Shijakut. 

Dhe pasi i ktheu hasmit në miq, mikrobi i punës nuk e la pa kthyer edhe njëherë nga serrat e Sukthit. Lëvizje, përpjekje, debate, biseda, analiza pune, raportime, kujdesje për njerëzit e të gjitha këto e rënduan përsëri zemrën e tij, e cila nuk mbante më. Sulejman Gallaj dha jetën mbi punën e tij, me vështrimin nga një e ardhme më  e mirë për popullin, që e deshi aq shumë. 

Familja e Sulejman dhe Hajrije Gallajit përbëhet nga Bali, Shqipja, Ndriçimi dhe Uljana. Prindërit e Sulës, Muharremi dhe Qamilja kishin edhe një vajzë Sadetën, që lidhi jetën me Sulejman Ballën. Këto janë rrënjët e familjes me mbiemrin e njohur Gallaj.

Nga zemra u nda nga jeta Babë Sula. Ishte viti 1926, kur i jati Muharremi pronar i një restoranti në Shijak dhe në Durrës, u largua nga jeta po nga goditja në zemër. 8 maj i vitit 1997, do të vinte me një tjetër ngjarje tragjike. Pas një goditje fatale në zemër, mbyll sytë përgjithnjë djali i Sul Gallajit- Ndriçimi. Varri i Çimit është në Amerikë, pranë bashkshortes së përkushtuar Shpresës dhe djemve Gentit dhe Sulejmanit.

Ç’ne, të jetë ngjallur Sula ynë? Po, ai është gjallë. Ky është nipi i tij: Sulejman Gallaj! Ëndërra vazhdon!

Durrës: 23 nëntor 2021