Mjete rrethanore nga më të larmishmet për të ruajtur me çdo kusht një vend parkimi, që në Durrës është kthyer në një “mall të rrallë”.

Nga një vëzhgim i thjeshtë që bëmë në disa nga rrugët dytësore dhe rrugicat e qytetit del në pah se në Durrës mbizotëron “ligji i xhunglës”.

Ashtu si kafshët markojnë territorin për të mbajtur larg rivalët, në qytetin 3000-vjeçar qytetarët zënë me çfarëdolloj mjeti të mundshëm një vend parkimi në hapësira publike.

Absurdi shkon deri aty, sa detyron edhe qytetarët që i paguajnë taksën e parkimit bashkisë të vendosin mjete rrethanore për ta ruajtur atë vend, që normalisht duhet t’ua ruajë ligji.

Gjithçka ndodh në dritë të diellit, nën hundën e autoriteteve, që në vend që të zbatojnë ligjin, u shkelin syrin abuzuesve. Aksione të herëpashershme janë kryer nga Policia Bashkiake për largimin e konikëve, strukturave metalike, trarëve, vazove të betonit etj, por mjetet rrethanore rishfaqen në rrugë si këpurdhat pas shiut, sapo efektivët largohen.

Pak ditë më parë, “DurrësLajm” trajtoi problematikën e zënies së vendeve të parkimit në akset kryesore të qytetit, por fenomeni është i pranishëm në çdo rrugë e rrugicë afër, por edhe larg qendrës.

Projekti i zbatuar vite më parë për ngushtimin e akseve rrugore kryesore, nuk u shoqërua nga largpamësia e drejtuesve vendorë për të krijuar vende alternative parkimi për një qytet në zhvillim e sipër dhe me numër gjithnjë në rritje automjetesh.

Kjo bëri që në vitin 2025, kryeqyteti shqiptar i turizmit, që mirëpret çdo ditë turistë nga vende të ndryshme të botës, të ofrojë përveç trashëgimisë së pasur kulturore edhe një panoramë kaotike të aplikimit të ligjit të xhunglës në çdo cep të qytetit 3000-vjeçar.

M.B.