Edicioni i 35-të i festivalit të këngës për fëmijë “Tingujt e Adriatikut” kurorëzoi fituesit e tij në një mbrëmje, ku u vlerësuan zërat dhe performancat më të mira të nxënësve më të talentuar të Durrësit.

Aktiviteti i organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve, me mbështetjen e bashkisë Durrës evidentoi zërat më të bukur fëminorë dhe këngët më të mira për të vegjlit të realizuara përgjatë një viti nga kompozitorët durrsakë dhe jo vetëm.

Me çmimin e parë të festivalit u vlerësua këngëtarja e vogël Arbëri Dajko, me këngën “Melodi e planetit”. Çmimi iu akordua nga kryetari i jurisë së festivalit, Ermir Dizdari.

Ndërkohë çmimi i dytë shkoi për dy këngë të interpretuara nga Ajlis Disha dhe Viola Gjyzeli.

Dueli më i mirë u shpall kënga “Ylberi dhe muzika”, e interpretuar nga Amina dhe Maida Luga.

Ndërsa vokali më i mirë i festivalit u shpall Viola Gjyzeli me këngën “Mësueses”.

Në eventin kulturor që u zhvillua për dy netë me radhë në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” u interpretuan 18 këngë solo dhe duete, ndërsa juria vlerësoi përgatitjen e lartë artistike të të gjithë fëmijëve pjesëmarrës.

Eventit ju dha edhe më shumë gjallëri nga interpretimet e grupit të valleve të QKF-së, që sollën para të pranishmëve një sërë kërcimesh popullore dhe kontemporane.