“Plazhet shqiptare kanë qenë një trend kohët e fundit në TikTok. Ky vend ballkanik ofron një formacion të jashtëzakonshëm plazhesh”, shkruan një artikull i botuar në revistën globale të udhëtimit “Lonely Planet”.

Me ujëra të kristalta dhe të thellë blu, plazhet në Shqipëri rivalizojnë çdo vend të Europës.

Në këtë shkrim rekomandohen 8 plazhe, të cilët i klasifikojnë si më të mira në Shqipëri, duke nisur nga Ksamili, të cilin e cilësojnë si plazh të mahnitshëm me ujërat bruz.

Rëra e imët dhe ujërat blu e bëjnë atë vendin perfekt për kërkuesit e diellit. Por mos e humbisni atraksionin më të bukur të krijuar nga njeriu: rrënojat arkeologjike 2500-vjeçare në Butrint.

Më tej ndaloni në Borsh, një plazh i qetë, me guralecë të bardhë 7 kilometra të gjatë.

Gjipeja, një nga plazhet më piktoreske dhe private të Shqipërisë, ndodhet midis qyteteve të Himarës dhe Dhërmiut të cilin nuk duhet ta humbisni.

Nëse veç plazheve të bukura, doni dhe gjallëri, jetë nate dhe muzikë, duhet të ndaleni në Dhërmi.

Një tjetër destinacion që rekomandohet është Spilleja. Plazhi nuk ka muzikë me zë të lartë dhe klube buzë detit, dhe rrethohet nga pylli i bukur me pisha.

Kepi i Rodonit në artikull klasifikohet si plazhi më i mirë për historinë. I ndodhur në Detin Adriatik në veriperëndim të Tiranës, Kepi i Rodonit është një mrekulli natyrore për të cilën pak vizitorë ndërkombëtarë kanë dëgjuar.

Më pas përmendet plazhi i Velipojës, duke e lidhur me afërsinë e qytetit të Shkodrës dhe të gjitha bukuritë e veriut të vendit.

Ndërsa si plazhin më të mirë për jetën egër përmendet Divjaka, duke vlerësuar bukuritë dhe faunën e egër, pasi laguna njihet si shtëpia e pelikanit por edhe e flamingove edhe e mbi 200 lloje zogjsh.