Për ngjarjen e paprecedentë , të regjistruar 3 ditë më parë në shkollën artistike “Jan Kukuzeli”, ku policia bashkiake u paraqit me urdhër të bashkisë dhe pa shkresë zyrtare për të marrë çelësat e sallës “Black box”, ka reaguar sot dega e PD Durrës.
Bashkia ka vendosur që ta marrë vetë në menaxhim sallën, ku zhvillohet koncertet dhe provat e grupeve artistike të shkollës por edhe aktivitete artistike nga palë të treta, duke i hequr mundësinë nxënësve dhe mësuesve, të përdorin këtë sallë, që është projektuar si një hapësirë ku artistët e rinj të qytetit mund të bëjnë prova dhe të përformojnë në skenë.
Në reagimin e saj, PD Durrës e konsideron të papranueshëm këtë veprim.
“Është e papranueshme që, në vend që të investohet për zgjerimin dhe forcimin e infrastrukturës kulturore e arsimore, Bashkia Durrës ndërmerr hapa që cenojnë funksionimin normal të institucioneve dhe reduktojnë hapësirat në shërbim të fëmijëve dhe të rinjve. Një qytet që i kufizon hapësirat kulturore brezit të ri, po dëmton drejtpërdrejt të ardhmen e tij.
Institucionet arsimore dhe kulturore duhet të jenë hapësira të mbrojtura nga ndërhyrjet arbitrare dhe nga çdo vendim i marrë pa transparencë të plotë dhe pa konsultim me komunitetin përkatës. Çdo veprim që prek funksionimin e tyre duhet të bazohet në procedura të qarta ligjore dhe në dialog me mësuesit, nxënësit dhe komunitetin artistik.”,- shkruan PD ndër të tjera në reagimin e saj.
Reagimi i plotë:
Partia Demokratike, Dega Durrës, shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj të fortë lidhur me vendimet e Bashkisë Durrës që prekin hapësirat publike dhe institucionet kulturore e arsimore të qytetit, në veçanti situatën e krijuar në ambientet e shkollës artistike “Jan Kukuzeli” dhe marrjen në administrim të sallës “Black Box”.
Është e papranueshme që, në vend që të investohet për zgjerimin dhe forcimin e infrastrukturës kulturore e arsimore, Bashkia Durrës ndërmerr hapa që cenojnë funksionimin normal të institucioneve dhe reduktojnë hapësirat në shërbim të fëmijëve dhe të rinjve. Një qytet që i kufizon hapësirat kulturore brezit të ri, po dëmton drejtpërdrejt të ardhmen e tij.
Institucionet arsimore dhe kulturore duhet të jenë hapësira të mbrojtura nga ndërhyrjet arbitrare dhe nga çdo vendim i marrë pa transparencë të plotë dhe pa konsultim me komunitetin përkatës. Çdo veprim që prek funksionimin e tyre duhet të bazohet në procedura të qarta ligjore dhe në dialog me mësuesit, nxënësit dhe komunitetin artistik.
Është e papranueshme që çështje të tilla të shndërrohen në konflikte institucionale, duke krijuar pasiguri për nxënësit, mësuesit dhe të gjithë ata që kontribuojnë në jetën kulturore të qytetit. Bashkia Durrës ka detyrimin të sqarojë publikisht bazën ligjore të këtyre vendimeve, arsyet që i kanë diktuar dhe garancitë për vijimësinë normale të aktiviteteve artistike e kulturore.
Ndërkohë, çdo tendencë për tjetërsim apo kufizim të hapësirave publike në dëm të fëmijëve dhe komunitetit artistik është një hap në drejtim të gabuar. Hapësirat publike nuk janë pronë e pushtetit, por pasuri e qytetarëve të Durrësit dhe, mbi të gjitha, e brezit të ri që ka nevojë për më shumë kulturë, arsim dhe zhvillim.
Partia Demokratike Durrës do të ndjekë me vëmendje këtë çështje dhe do të jetë në krah të çdo qytetari, prindi, mësuesi dhe artisti që mbron interesin publik dhe dinjitetin e institucioneve arsimore e kulturore të qytetit.
Durrësi ka nevojë për më shumë kulturë dhe hapësira për të rinjtë, jo për më pak.





