Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ka drejtuar mbledhjen e konstituimit të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, me pjesëmarrjen e zëvendësministres së Brendshme, Anisa Ruseti, përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake dhe institucioneve të tjera vendore e qendrore.
Në një postim në rrjetet sociale Sako shprehet se gjatë mbledhjes u diskutuan çështje që lidhen me rendin publik, sigurinë në lagje dhe shkolla, parandalimin e dhunës në familje, mbrojtjen e fëmijëve, sigurinë rrugore dhe menaxhimin e emergjencave civile.
Postimi i plotë:
Sot drejtova mbledhjen e konstituimit të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, me pjesëmarrjen e Zv/ministres së Brendshme, Anisa Ruseti, përfaqësuesve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policisë Bashkiake, drejtuesve të programit SCPA për monitorimin e sigurisë publike, Shërbimit Social, ISSH-së, si dhe përfaqësuesve të gjykatës, prokurorisë dhe institucioneve të tjera vendore e qendrore që kanë një rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë publike, rendit, mbrojtjes sociale, arsimit, shëndetësisë dhe menaxhimit të emergjencave civile.
Gjatë mbledhjes diskutuam mbi çështje që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si rendi publik, siguria në lagje dhe në shkolla, parandalimi i dhunës në familje, mbrojtja e fëmijëve, siguria rrugore, emergjencat civile, si dhe problematika të tjera me ndikim në komunitet.
Këshilli Vendor i Sigurisë Publike do të shërbejë si një mekanizëm i rëndësishëm bashkëpunimi ndërinstitucional, me synimin për të forcuar koordinimin mes institucioneve, për të rritur efektivitetin e reagimit ndaj shqetësimeve të qytetarëve dhe për të ndërtuar një mjedis më të sigurt për të gjithë.





