Nga BUJAR QESJA

Jeta është e bukur pse ka ulje dhe ngritje, mërziti dhe gëzime, planifikime por edhe surpriza, dhimbje dhe ovacione, vrapime dhe ulje të ritmit, humor por edhe seriozitet. E kështu mund të vazhdonim gjatë dhe sigurisht, ishim në të drejtën tonë për ta bërë këtë.

Për fat këto rradhë e marrin zanafillën, nga një dukuri e këndshme, nga një surprizë nga ato që shkruajnë mbi shpirtin tënd mbresa dhe emocione. Shyqyr që m’u ofrua edhe mua në këtë të hënë, të 31 janarit 2022 kjo kështu. Mua sot më është dhënë një titull. Është një titull firmosur nga një anëtar jurie. E ka firmosur dhe vulosur me ndjeshmërinë morale të pa përshkruar, duke nxitur dhe lartësuar ndjeshmërinë shpirtërore timen. Oh çfarë kënaqësie! Fillimisht nuk e mendova kështu. Thjesht një dhuratë dhe natyrisht gëzimi këtu do të ishte shumë.

Ky anëtar jurie quhet Kosta Bonshi. Një mesoburrë, paksa i imët dhe mbi krye qëndronin si kurorë kaçurelat e tij. Një natyrë e urtë, si “nuse me tel”. Po qëndroja në intimitetin tim. Një ditë e bukur dhe dielli më dukej, sikur më ishte varur mbi krye. Pas ditëve të ftohta, kjo ngrohtësi më dukej si ilaç, duke më provokuar optimizmin e munguar prej orësh. Kosta ky djalë simpatik, është këngëtar. Lëvron më shumë gjininë e këngëve popullore dhe është i njohur në Durrës. Ndonëse i imët, ka gjithë atë zë dhe krijon emocione. Në punët e mia artistike, ky Kosta Bonshi është pjesë i grupit të këngëtarëve, që mbajnë një peshë jo fort të lehtë, në ngacmimin e jetës kulturore artistike të Durrësit. Kisha kohë pa e parë dhe ja ku më çfaqet papritur.

Duke më folur edhe këtë herë si vazhdimisht, “sinjor diretore” më takon përmallshëm.
-Po vi nga Italia, nga qyteti i Bolzanos. Kam një vit e gjysëm që jam atje. Kam shkuar edhe për një problem, që më është çfaqur në zemër. Jam trëmbur pak. Po më privon edhe nga kënga. Kam një lloj fibrilacioni në zemër dhe më mundon. Është bërë edhe një ndërhyrje specifike. Erdha të të takoj edhe për një fakt.

Në dorë mbante çantë letre dhe brenda saj, kishte strehuar një kuti katërkëndëshe. Një kordele në ngjyrë rozë, ishte vendosur me estetikë mbi ambalazhin e letrës. Mendova se do të ishin disa lloj karamelesh, që i shkonte ky ambalazhim. Me një buzëqeshje që nuk i fshinte ndrojtjen më tha me zë lutës:
-Kisha dëshira ta hapje para meje, pasi është një gjë që të shkon ty. Po bën shumë për Durrësin dhe qytetarinë e tij dhe mendova të të dhuroj diçka. Nuk është gjithçka para asaj që po bën, por është shumçka para asaj që ndjej. Të lutem, mos ma prish. Hapeni!

Pa pretenduar se do të ndeshesha më atë që pash, e hapa këtë katërkëndësh kartoni edhe për të mos ia prishur mikut tim shumë më të ri nga vetja. Kur kam hequr mbulesën e sipërme të kutisë, kam shtangur. Për shumë gjëra u befasova deri në mahnitje. Do ti them më poshtë. Por çfarë pashë?!
Një Pendë (pupël mesjetare) e modifikuar me elementë të kohës, por duke ruajtur një origjinalitet fantastik. Tre penica që shërbenin si rezervë, kundrejt “sqepit” të stërmadh që kishte fillimi i pendës. Letra e mbledhur në një krah dhe shishja e bojës, për të bërë që maja e pendës të mos thahet.

Më bëri përshtypje fantazia i këtij njeriu të thjeshtë, i këtij këngëtari që këndon për popullin, me një shpirt të vendosur në minierë floriri. Mirë që më kujtoi, kur të tjerë mund ta kenë si detyrim shoqëror më shumë se ai, por krijoi një simbolikë të papërsëritshme, për jetën time publiçstike mbi 50 vjeçare. Po përjetoja çaste më shumë se të veçanta. M’u duk sikur po bëhej një ceremoni gjigande, në prani të një shumice dhe juria po më akordonte çmimin “Penda e Artë”. U treta në një ëndërr me sy hapur dhe befasia më tronditi.

Po para meje ishte vetëm një juri, e përbërë vetëm nga një njeri, vetëm nga ai. Dhe ky është Kosta Bonshi. Kam marrë shumë tituj, nga “ Anton Mazreku” e deri tek “Mjeshtri i Madh”. Por si ky titull që më dha Kosta Bonshi, as ka për të m’u përsëritur. Këto janë tituj, me erë pune dhe respekti. Kur punon dhe e jeton itensivisht jetën, ia ndjen shijen e këtyre që po shpreh. Punoj për njerëzit. Shkruaj për ditë për ta. Por edhe Kosta këndon për njerëzit. Këndon për ditë për ta. Po sot ai këndoi edhe për mua. Këndoi me një zë të ëmbël, me një zë joshës, me një zë drithërues malli dhe dëshire. Këndoi me zërin e zemrës, duke i dhënë zemër një zemre tjetër.

Nga sot, një juri e magjishme e përbërë nga vetëm një njëri, më dha titullin shumë të lartë: “Penda e Artë”. Penda e artë, e dhënë nga një zemër e artë. Shpërblim më të madh nuk ka. Me lot që m’i shikonte vetëm zemra ime, me një zë drithërues dhe të fshehur në arkën e emocioneve, munda të flas:
-Të falenderoj me gjithë shpirt Kosta Bonshi! Ti sot më dhe një titull. Një titull që do ta dëshironin të gjithë. Titull mirënjohje dhe respekti për djersën e punës. Ajo punë, që e kemi si detyrim t’ua kushtojmë njerëzve.

Durrës: 31 janar 2022