Në Fakultetin e Biznesit, në UAMD, mëngjesin e sotëm po bëheshin përgatitjet e para për Panairin e Punës dhe Karrierës, që do të mbahet më 22 maj. Ky panair është një nga eventet më të rëndësishme dhe këtë vit regjistron edicionin e tij të pestë.

Me pjesëmarrjen e mbi 100 bizneseve dhe shumë institucioneve shtetërore dhe kompanive publike, panairi është një mundësi mjaft e mirë për të forcuar dhe çuar më tej marrëdhëniet mes Fakultetit të Biznesit dhe sipërmarrjes në Durrës dhe Tiranë.

Një nga koordinatoret e panairit. Daniela Lika, na shpjegon më shumë mbi këtë event, që vit pas viti ka regjistruar arritje të rëndësishme.

“Për të pestin vit radhazi, Fakulteti i Biznesit organizon, më 22 maj, Panairin e Punës dhe të Karrierës. Janë mbi 100 kompani të ndryshme, të cilat na bashkohen, kryesisht kompani shumë prestigjioze, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Durrës dhe Tiranë. Kemi përfaqësi nga një sërë institucionesh shtetërore. Janë gjithashtu banka dhe institucione të tjera financiare, të cilat marrin pjesë. Në panair përfshihet gjithashtu industria e turizmit. Një sërë hotelesh dhe agroturizmash marrin pjesë në të, po ashtu dhe sektori imobiliar etj.”

Panairi i Punës dhe Karrierës është njëkohësisht një shans më shumë për studentët për t’u integruar në tregun e punës përmes praktikave pranë bizneseve, punësimit sezonal apo afatgjatë dhe përfitimit të bursave te studimit. Një interes i shtuar pritet të tregohet nga operatorët turistikë, të cilët plotësojnë stafin e tyre sezonal me studentë të UAMD-së.

“Me dhjetëra biznese do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Biznesit dhe janë ofruar që do të dhurojnë disa bursa studimi për studentët tanë. Gjithashtu, ditën e panairit do të organizohet forumi me temë “Ekonomia në transformim, aftësitë e reja që kërkon tregu i punës” në një panel me përfaqësues nga 6 kompani, studentë, akademikë etj do të diskutohet mbi këtë temë”,- thotë koordinatorja Lika.

Panairi synon të shërbejë si një pikëbashkimi për bashkëpunimin midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, si dhe për të prezantuar mundësitë që ofron ky treg në Durrës dhe kryeqytet, në të gjitha sektorët e ekonomisë.  

M.B.