Finalizohet nga seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe për Hetimin e Krimeve, në DVP Durrës, operacioni policor i koduar “Along”.

Qarkullonin me doza lëndësh narkotike dhe me mjet prerës (thikë), në automjet, vihen në pranga 2 pasagjerët, procedohet në gjendje të lirë drejtuesi i automjetit.

Sekuestrohen doza lëndësh të dyshuara narkotike kanabis, kokainë e heroinë, 3 aparate celulare dhe mjeti prerës (thikë).

Shërbimet e Policisë në DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Along”, si rezultat i të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, shtetasit:

-I. Hodo 30 vjeç dhe A. Bakiasi 20 vjeç, banues në Durrës dhe Tiranë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin E. Shehaj, 34 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte 34-vjeçari, shtetasve I. H. dhe A. B. iu gjetën dhe iu sekuestruan nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale, doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, kokainë e heroinë, 3 aparate celulare, 1 tablet dhe mjeti prerës (thikë).

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.