BUJAR QESJA

Natyrisht jo të gjitha detajet mund të përkujtohen në një 70-të vjetor, por më kryesoret kemi detyrë t’i evidentojmë. Pa ngurrim mund të pohojmë, që në skenën durrsake krijuan dhe lanë në kujtesë dhe mos harresë, jetën artistike dy çifte mjaft të njohura. Mbase unikale në jetën artistike shqiptare.
Ata janë Nikolin Xhoja, Meropi Zagoridha, Spiro Urumi dhe Vera Vreshtazi. Që të katër të lindur në Durrës. Që të katër nuk jetojnë, për të lënë kujtesën më të spikatur, në atë skenë aq të shtrenjtë që krijuan, teatrin profesionit “A. Moisiu” të Durrësit.

Nuk mund të fillosh të flasësh për historinë e këtij teatri, pa vendosur që në faqen e parë, mbase që në rreshtat e para, ata dhe vetëm ata, të aftët, të mrekullueshmit, artistë të lindur që në bark të nënës NIKOLIN XHOJA, MEROPI

ZAGORIDHA, SPIRO URUMI dhe VERA VRESHTAZI.

Duke mos dashur ta mbyllim me një ditë, përvjetorin e 70-të të shumë pritur të skenës së famshme durrsake, mbase edhe i vetëm, do të më duhet të vazhdoj edhe pak. Me të vetmin qëllim, për të mos e shuar prushin e atij zjarri të madh, që ndezën për vite e vite artistët e mëdhenj të teatrit profesionist “A. Moisiu”.
Do t’i përkujtojmë ja kështu, pa u ngutur, pak e nga pak, për t’i vendosur në ballinën kryesore të artit konkurues durrsak.

NIKOLIN XHOJA

Lindi me 12 maj 1926, në qytetin italian të Brindizit. Mbiemri origjinal vjen nga babai Teodor Gioia, pronar kinemash në disa qytete italiane. Koiçidenca vjen e përsosur, pasi Gioia në italisht do të thotë gëzim dhe kështu mbeti tërë jetën Nikolin Xhoja, gëzim dhe hare i skenës.
E ëma e Nikolinin, është durrsakia Parashqevi Bushi, e cila ishte emigrante ekonomike në Itali. Nikolini 6-të vjeçar vjen në Durrës, për t’i mbetur nga brengat më të mëadha, që nuk mundi të marrë pjesë në lamtumirën e fundit të të jatit Teodorit.
Aktor profesionist që në krijimin e teatrit. Luajti 54 role në teatër dhe 7 në kinematografi. Arti i tij ishte i jashtëzakonshëm dhe mbase i paarritshëm nga pasardhësit e tij. Është “Artist i Popullit”.
Lamtumira e fundit i është dhënë me 27 tetor 1987, ku një Durrës lëvizi nga vëndi për të përcjellë historinë e tij të skenës.

MEROPI XHOJA

Mbiemri nga babai është Zagoridha. Shumë shpejt përqafoi artin skenik dhe që në orën e parë të krijimit, u bë aktorja e trupës profesionistë e teatrit “A. Moisiu”. U lind në Durrës me 20 prill 1920. Është vajza e Nikolla dhe Katerina Zagoridhës, familje e njohur durrsake. Është vlerësuar me titullin “Artiste e Merituar”. Ndali frymëmarrjen me 19 nëntor 2009.
Çifti Nikolin dhe Meropi Xhoja, dhanë ndihmesë të çmuar jo vetëm në krijimin e teatrit të Durrësit, por edhe në famën dhe emrin e madh që krijoi.

SPIRO URUMI

U lind në Durrës me 28 shkurt 1928. Në karrierë luajti 80 role në teatër dhe aktivizohet në 12 filma artistikë të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Në saj të roleve pikante që realizoi, i është dhënë titulli “Artist i Merituar”. Aktor që në gjenezën e teatrit të qytetit 3400 vjeçar.
Pip Urumi ishte njëkohëshit edhe “Mjeshtër Sporti”, notar, vaterpolist dhe basketbollist kampion në vitin 1955. Meritat e tij në artin skenik dhe artin sportiv, mbeten të veçanta. Sëmundja e papritur, na e rrëmbeu Pipin tonë shumë shpejt, ndonëse fiziku i tij i rrallë, lakohet edhe sot e kësaj ditë ne Durrës. Lotët për të nuk u ndalën me 13 dhjetor 1997.

VERA URUMI

Lozonjarja e skenës. Emër i madh dhe i skalitur i teatrit “A.Moisiu”. Mbiemri i origjinës është Vreshtazi. Filloi të bëj teatër në moshë mjaft të njomë në Tiranë. Në vitin 1949, është në trupën profesioniste të Shkodrës.
Shumë prekës është telegrami historik që i dërgon Nikolin Xhoja dhe Todi Thanani në fillim të vitit 1953.
“Teatri profesionist i Durrësit u krijua. Të presim!”
Dhe Vera vjen me shpejtësi në qytetin e lindjes, duke u vendosur në korsinë e saj, ku bëri atë vrapim të paharruar në skenën e shenjtë të teatrit “A. Moisiu”. U lind me 4 shkurt 1932, megjithëse në kartën e identitetit, është vendosur lindja e saj me 25 mars 1932. Luajti 100 role dhe meritoi titullin “Ariste e Merituar”. E përcollëm në mes dhimbjesh, me 27 mars 2019.

Të dy çiftet e njohura të skenës durrsake Nikolin dhe Meropi Xhoja, Spiro dhe Vera Urumi, mbeten krenaria e skenës durrsake, mburrja dhe përjetësia e saj.
Rrofshim dhe i kujtofshim artistët tanë të mëdhenj! Ky është dhe mbetet detyrimi ynë i pandalshëm. Mundësia e jonë, ringjallja e tyre në këtë 70-të vjetor të atij teatri, që e krijuan me artin e tyre dhe nënshkruan pavdeksinë e merituar.

Bujar Qesja
Durrës 14 janar 2023