Durrësi dhe Shqipëria janë kthyer këtë verë në parajsën e italianëve për të kaluar pushimet verore.

Pak orë më parë, një tjetër media italiane ka publikuar një reportazh të realizuar në Durrës, qytet të cilin shumë italianë e kanë zgjedhur si destinacion për të kaluar disa ditë pushimesh në det. Shoqëri e mirë, gatime mjaft cilësore, diell, por mbi të gjitha çmime shumë të leverdishme është çka ofron qyteti 3000-vjeçar këtë mes gushti.

Reportazhi i Mediaset Infinity nis nga porti i Barit, aty ku janë rritur ndjeshëm udhëtimet e italianëve drejt vendit të shqiponjave.

“Për 8 ditë qëndrimi planifikojmë të shpenzojmë rreth 350 euro secili”,- thotë një i ri.

“Rreth 600 euro do të shpenzojmë për hotelin për 8 ditë. Jemi 3 persona”,- thotë një tjetër.

Në 64 km vijë bregdetare, Durrësi mirëpret këtë sezon mijëra pushues italianë.  

Ndryshe nga çmimet e kripura të vendit të tyre, italianët gjejnë në qytetin bregdetar oferta mjaft të leverdishme për hotelin (rreth 550 euro për 7 ditë), shezlongjet (100 euro për 10 ditë) apo drekat dhe darkat në restorantet e njohura buzë detit.

“Rreth 50 euro bashkë me verën shpenzuam vetë i katërt në drekë”,- thotë një zonjë.

“Konsumuam pjatë të parë dhe të dytë me produkte deti. 4 persona shpenzuam rreth 70 euro. Shpenzon dyfish më pak sesa në Pulia”,- thotë një tjetër.

“Për një drekë apo darkë shpenzohet diku tek 35 euro. Janë të përfshira antipasta, pjata e parë dhe e dytë me produkte deti”,- thotë për gazetaren italiane, Adil Beqiraj, administratori i restorantit të njohur “2 kitarat”.

Për agjencitë turistike italiane, Shqipëria po përjeton një bum turistik këtë verë.

Nga Bari drejt Durrësit kanë udhëtuar mbi 120 mijë pasagjerë gjatë vitit 2023, rekord ky i 10 viteve të fundiit, ndërsa nga aeroporti i Barit drejt Rinasit janë 50% më shumë udhëtime sesa një vit më parë.

“Në 2021 kishim 3 prenotime, vitin e kaluar 17, kurse këtë vit 60 prenotime. Një rritje me 2000%. Një javë në Shqipëri kushton rreth 1500 euro për një familje, në Itali shkon 3500-3600 euro”,- tregon një turoperator.

E me këto diferenca në çmime, jo më kot Durrësi dhe Shqipëria mbeten këtë verë një nga destinacionet më të preferuara të familjeve italiane për të kaluar pushimet.

M.B.