Viti i ri arsimor është në prag dhe në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme që mbulon Zyra Vendore Arsimore Durrës po bëhen përgatitjet e fundit për mbarëvajtjen e tij.
Problematika kryesore në këtë vit të ri shkollor mbetet rindërtimi i shkollave të shembura për shkak të dëmtimeve që pësuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në bashkinë Durrës janë 12 godina arsimore që janë rindërtuar nga e para, ndërkohë që janë 13 shkolla që do ta zhvillojnë procesin mësimor në turnin e dytë në shkollat pritëse.
Këtë vit shkollor do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës 1515 nxënës, ndërsa në total janë 28.931 nxënës që do të frekuentojnë arsimin parauniversitar në bashkinë Durrës.
Për të tretin vit radhazi, rreth 4000 nxënës do të zhvillojnë mësimin pasdite në shkollat pritëse.
Në një komunikim zyrtar që “DurrësLajm” pati ditë më parë me UNDP, mësuam se procesi i rindërtimit të objekteve arsimore në kuadër të programit EU4School pritet të përfundojë brenda vitit 2023.
M.B.