Urdhri i Mjekut Durrës ka reaguar pas vendimit të presidentit të vendit Ilir Meta për të vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”, epidemiologut Mihal Todi Muka.

Përmes një postimi në “Facebook”, Urdhëri i Mjekut Durrës shkruan se doktor Mihal Muka është një ndër mjekët më të shquar, fisnik dhe human të qytetit si dhe një ndër mjekët e parë specialistë të laboratorit.

Gjithashtu në postim thuhet se “ky titull ishte vlerësim dhe respekt gjithashtu për të gjithë bluzat e bardha të qytetit të Durrësit, të cilët e shohin doktorin si profesionistin që frymëzon brezat e rinj të mjekëve.”

Reagimi i plotë:

Në një ceremoni të mbajtur ditën e djeshme, Presidenti i Republikes së Shqipërisë Z. Ilir Meta, me propozim të Shoqata Durrësi Autokton vlerësoi me:

Titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” Mjekun e përkushtuar dhe human, Doktor Mihal Todi Muka (Doktor Kel Muka).

Doktor Mihal Muka është një ndër mjekët më të shquar, fisnik dhe human të qytetit të Durrësit.

Personalitet erudit dhe i nderuar, me rol dhe kontribut të paçmuar, si një ndër mjekët e parë specialistë të laboratorit, i cili me profesionalizëm, përkushtim dhe humanizëm vazhdon ende të punojë.

Ky titull ishte vlerësim dhe respekt gjithashtu për të gjithë bluzat e bardha të qytetit të Durrësit, të cilët e shohin doktorin si profesionistin që frymëzon brezat e rinj të mjekëve.

I urojmë Doktorit shëndet dhe vitalitet, si dhe vazhdimësi në punën e tij fisnike dhe misionare.